Secilit prej ndjekësve të Mi i është besuar një mision dhe një thirrje: të dëshmojë për dashurinë Time ndaj botës dhe ndaj çdo njeriu, duke qenë një shembull i gjallë i saj (Gjoni 3:16-17). Mos i nënvlerëso kurrë mundësitë për t’u afruar me të tjerët dhe për të ndarë me ta dashurinë Time dhe Fjalën Time. Nuk mund ta dish kurrë se çfarë ndikimi mund të ketë një fletushkë ungjillore, një gjest dashurie nga ana Jote apo disa fjalë inkurajuese në jetën e dikujt që është në dëshpërim dhe kërkon me gjithë zemër të vërtetën.
Çdo sakrificë që bën për të bërë mirë, për të ndarë me të tjerët atë që ke marrë, për t’u dhënë zemër njerëzve dhe për t’i drejtuar tek Unë, është e pëlqyeshme në sytë e Mi (Hebrenjve 13:16). Ndoshta të duket se nuk ke shumë për të dhënë, por kur e hap zemrën ndaj njerëzve përreth teje, të cilët njohin kaq pak nga e vërteta dhe nuk Më njohin Mua, do të kuptosh sa i pasur dhe i bekuar je shpirtërisht. Përfytyroje si do të ishte jeta jote nëse nuk do ta dije se ekziston një Zot që të do pa kushte dhe se jeta jote ka një qëllim të përjetshëm!
Çdo ditë, në rrugën tënde ndesh njerëz që janë të humbur në errësirë dhe dëshpërim, duke pritur të gjejnë një qëllim, të vërtetën dhe kuptimin e jetës. Prandaj, mos ngurro të shfrytëzosh edhe mundësitë më të vogla për të mbjellë farat e dashurisë dhe të së vërtetës Sime në zemrat e njerëzve. Beso tek Unë, sepse përmes dëshmisë sate do të veproj në jetën e tyre.
