Kur investon në mbretërinë e Zotit, po bën një investim që zgjat përjetësisht. Kushdo që investon kohën, burimet dhe aftësitë e tij për të çuar përpara mbretërinë Time do të korrë shpërblimin e shërbëtorit të mirë dhe besnik dhe do të hyjë në gëzimin Tim (Mateu 25:23). Çdo njeri që është besnik të ofrojë atë që ka, sado e vogël të duket, për të ndarë dashurinë dhe të vërtetën Time me të tjerët, do të marrë një shpërblim për mundin e tij.

Nëse qëndron në Mua dhe në Fjalën Time, jeta jote do të japë fryt që mbetet (Gjoni 15:4–7,16). Dividentët e varfër të investimeve tokësore nuk zgjasin kurrë dhe gjërat e përkohshme të kësaj bote nuk mund të ofrojnë siguri të qëndrueshme. Prandaj, grumbullo thesaret e tua në qiell, ku as ndryshku nuk i shkatërron dhe as hajduti nuk i vjedh (Mateu 6:19–20). Vendos besimin tënd tek Unë dhe Unë do të të udhëheq që ta investosh jetën tënde me mençuri, në mënyra që çojnë përpara mbretërinë Time dhe sjellin dividentë të përjetshëm.

Mbaje gjithmonë para syve pamjen e gjerë të mbretërisë Sime të përjetshme dhe mos lejo që shqetësimet e kësaj bote dhe materializmi i saj të mbytin besnikërinë tënde ndaj Meje. Sepse aty ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote (Mateu 6:21). Investo në mbretërinë Time duke dhënë me zemër të hapur atë që ke marrë nga Unë, njerëzve që jeta jote prek çdo ditë. Ji besnik në ndarjen e lajmit të mirë të ungjillit me të tjerët, që edhe ata të mund të hyjnë në mbretërinë Time.