Zoti nuk të braktis kurrë

Disa vite më parë, kur sapo kisha filluar udhëtimin tim si misionare vullnetare, unë u përballa me një vendim të madh. Isha e shqetësuar dhe e frikësuar, edhe përfundova duke luftuar për ditë të tëra me veten për këtë vendim. Zoti në fund m’u përgjigj duke më dhënë një ilustrim të thjeshtë.

Ishte tabloja e një vajzë të vogël që mbante kapur dorën e atit të saj duke ecur. Në të njëjtën kohë, ajo plot frikë i përgjërohej babait të saj të mos ia lëshonte dorën: “Babi, të lutem, mos ma lësho dorën!” Dhe vazhdoi kështu, derisa më në fund babai i saj ndaloi, u ul në gjunjë, dhe e pa drejt në sy. Me një zë të prerë, por të ëmbël, ai i tha se nuk do t’ia lëshonte kurrë dorën, se për sa kohë ajo do të donte të qëndronte pranë tij, ai gjithmonë do të udhëhiqte dhe do të ecte përkrah saj.

E mora mesazhin dhe e ndava mendjen. Ka pasur shumë vendime të tjera të rëndësishme për të marrë që atëherë, por kur unë luftoj me frikën e rezultatit, e bërjes së një gabimi, apo i devijimit të rrugës, ky ilustrim më vjen gjithmonë ndërmend.

Sigurisht që, jeta është plot me kthesa dhe hapa të gabuara, dhe ndonjëherë ne shkojmë në zig kur duhet të shkojmë në zag, por ne gjithmonë kthehemi pranë Zotit dhe e gjejmë përsëri rrugën tonë. Ai premtoi se nuk do të na lërë vetëm apo të na braktisë.1

Nëpër shtigje të vetmuara dhe të thyera malore, Ai është shoqëruesi ynë. Në udhëtimin nëpër shkretëtirë, kur kemi etje dhe ndiejmë thatësinë e jetës dhe pyesim veten kur (dhe nëse), do ta gjejmë oazin, Ai na afron me të, në çdo hap. Kur ne çajmë rrugën mes turmave dhe pështjellimeve të jetës së përditshme dhe luftës kundër pyetjeve të pafundme, lodhjes, dhe dekurajimit, Ai ecën përkrah nesh dhe na thotë, unë jam këtu. Fol me mua. Me trego gjithçka.

Dhe të mendosh që ne rrëzohemi, e prishim punën, dhe ngatërrojmë gjithçka; si shumë prej ndjekësve të Tij që kanë rrëshqitur, janë penguar dhe kanë rënë në rrugën e tyre gjatë udhëtimit të jetës. A heq Ai ndonjëherë dorë nga ne?

Sigurisht që jo. Ky mendim as që do t’i kalonte ndonjëherë në mendjen e tij plot dashuri dhe falje.

Atëherë, pse shqetësohemi dhe frikësohemi ne? Nuk ka rëndësi me çfarë vendimesh jam përballur apo sa tmerruese mund të më jenë dukur, unë sinqerisht mund të them se nuk jam penduar kurrë që kam kapur dorën e Tij!

  1. Shikoni Hebrenjtë 13:5.