Një pjesë e historisë së Lindjes së Krishtit që më ka magjepsur është vizita e njerëzve të mençur, të njohur gjithashtu në bibel si “dijetarët”.

Mateu është Ungjilli i vetëm që i përmend këta burra misteriozë dhe ai jep vetëm detaje të pakta, thjesht duke i quajtur “njerëz të mençur” dhe duke përshkruar dhuratat që ata sollën: ar, temjan dhe mirrë. 1.

Na thuhet se ata erdhën nga Lindja, që është një term i gjerë. Ata mund të kishin ardhur nga afër si Mesopotamia, ose nga larg si tokat që sot janë India ose Azia Qendrore. Supozimi i zakonshëm është se ata ishin nga Persia, e cila atëherë ishte pjesë e Perandorisë Parthiane, një armik i paepur i Romës.

Mund të kenë kaluar rreth dy vjet nga koha kur njerëzit e mençur panë për herë të parë yllin deri në kohën kur ata mbërritën në Jerusalem. Ne supozojmë të ketë ndodhur kështu, pasi Herodi mësoi prej tyre kur ylli ishte shfaqur, dhe pastaj në përpjekjen e tij për të vrarë “mbretin e Judenjve”, urdhëroi vdekjen e të gjithë foshnjave meshkuj deri në dy vjeç, në dhe përreth Betlehemit.

Duheshin dy vjet për të udhëtuar nga Persia në Jerusalem? Një karvan deveje që udhëtonte në një vijë të drejtë do të bënte udhëtimin për rreth 25 ditë, kështu që me sa duket ata udhëtuan mjaft ngadalë, ose morën një rrugë qarkore, ose iu desh kohë e konsiderueshme para se të niseshin për udhëtimin e tyre. Unë dyshoj se të tre elementët kishin peshën e tyre, për të mos përmendur nevojën për të kaluar një kufi armiqësor midis perandorive që luftonin rregullisht.

Dijetarët persian kishin reputacion për studimin e yjeve, por pyes veten se si e dinin se ylli që ata panë nënkuptonte se kishte lindur “mbreti i hebrenjve”. Askund në Shkrimet Hebraike nuk thuhet se ky mbret i veçantë do të paralajmërohej nga një yll i ri. A kishte diçka në historinë e tyre që thoshte kështu? Dhe pse do të ishte kaq domethënëse lindja e një mbreti në një mbretëri të vogël armike diku në perëndimin e tyre, sa të ndiheshin të detyruar të fillonin një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm për ta parë? Çfarë informacioni të fshehtë do të ndanin këta burra të mençur?

Mateu na tregon se ata e panë Marinë dhe fëmijën “në shtëpi”, 2 jo në një stallë siç përshkruhet zakonisht. Luka na tregon gjithashtu se Maria dhe Jozefi kishin jetuar jetë normale që nga lindja e Jezusit. Kur Jezusi ishte tetë ditësh, ata e morën për ta bërë synet, 3 dhe kur ai ishte 40 ditësh e kishin çuar në tempullin në Jerusalem për t’ia kushtuar Zotit dhe për t’i ofruar sakrifica të zakonshme rituale për pastrimin e Marisë pas lindjes. 4

Po ylli? Duket se çdo vit lexoja rreth njerëzve që nxirrnin të dhëna astronomike nga koha e lindjes së Jezusit, duke u përpjekur të gjejnë një kometë, supernova, ose ndonjë ngjarje tjetër qiellore që mund të korrespondojë me yllin e Krishtlindjes. Unë dyshoj se ata do ta gjejnë ndonjëherë, sepse ajo ishte shumë ndryshe nga çdo trup tjetër qiellor, që ka ekzistuar. Mateu na tregon se njerëzit e mençur e kishin vëzhguar atë nga lindja dhe se e deshifruan çka do të thoshte. Por atëherë ata mund të mos e kenë parë më, kur ishin duke udhëtuar nga Jerusalemi për në Betlehem, e cila është më shumë se një orë udhëtim me deve. Ndërsa njerëzit e mençur iu afruan Betlehemit, ylli u shfaq përsëri dhe “erdhi të pushojë mbi vendin ku ishte Jezusi”. Çfarë lloj ylli shfaqet papritmas dhe qëndron pezull mbi një shtëpi? Pyes veten nëse ylli i ngjante sadopak yjeve.

Ungjilli i Lukës na tregon se një dritë shumë e ndritshme u shfaq në qiell natën kur lindi Jezusi. 5 A mund të ndodhë që kjo “mizëri e ushtrisë qiellore” që shfaqet në qiellin e natës e ndriçoi aq shkëlqyeshëm sa njerëzit e mençur që vështronin yjet e shndërruan në një trup qiellor të ri e mahnitës? Luka thotë se pasi kori qiellor mbaroi së kënduari për barinjtë, ata u ngritën në qiell, ndërsa njerëzit e mençur thanë se kishin parë yllin të ngrihej. A mund të ketë qenë shkëlqimi që u shfaq mbi shtëpinë e Jozefit dhe Marisë? Pse jo? Engjëjt duket se kanë qenë vizitorë mjaft të rregullt të këtij çifti. 6

Dhe së fundmi, vijnë dhurata. Ngaqë përmendjen tre dhurata, tradita rrëfen se ishin tre burra. Por mund të ketë qenë edhe dy ose më shumë… shumë… më shumë. Dhuratën e arit e kuptoj, por pse temjan dhe mirrë? Këto dy substanca rrëshinore ishin më të shtrenjta me peshë sesa ari; dhe u mblodhën nga pemët e rritura, ndër vendet e tjera, në Jemenin e sotëm.

Judenjtë përdornin temjan dhe mirrë në përzierjen e rrëshirave dhe bimëve që i digjnin në altarin e temjanit në tempull. Ajo përzierje ishte aq e veçantë për Zotin, saqë çdo hebre që e digjte në shtëpinë e tij do të internohej. Ka vërtet kuptim që temjani i përdorur për adhurimin e Zotit në tempull do të ishte ofruar nga njerëzit e mençur. Nuk jam i sigurt se për çfarë mund t’i kenë përdorur Maria dhe Jozefi. Ndoshta i kanë shitur në Egjipt për të mbuluar shpenzimet e tyre të jetesës. Ata duhej ta paguanin disi qëndrimin e tyre.

Kështu njerëzit e mençur erdhën, adhuruan dhe pasi u paralajmëruan nga Zoti se Herodi kishte ndërmend ta vriste Jezusin, u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.

  1. Shih Mateu 2: 1–12.
  2. Mateu 2:11
  3. Shih Luka 2:21
  4. Shih Luka 2:22–24.
  5. Shih Luka 2:8–13.
  6. Shih Mateu 2:13,19–20.