Së fundmi mbusha 70 vjeç dhe mendova: “Ja, tani do të mund të bëj një jetë më të qetë. Do të lexoj e do të shkruaj, do të kujdesem për lulet e mia, do të marr pjesë në takimet e grupit të të moshuarve, në shërbesat dhe veprimtaritë e kishës, do të vizitoj motrat e mia dhe do të shijoj kohën me fëmijët, nipërit dhe mbesat kur të vijnë për të më vizituar. Tani e tutje, jeta do të jetë një fushë me lule.”
Sa iluzion i bukur! Nuk kaloi shumë dhe motra ime 80-vjeçare u sëmur, kështu që m’u desh të kujdesesha për të. Më pas dolën edhe disa probleme të tjera, më të vogla, por që kërkonin vëmendjen time. Atëherë m’u desh ta pranoja: “Jeta është një rrugëtim plot ulje-ngritje. Ka periudha të bukura, por edhe të vështira. Zoti na dhuron vërtet çaste pushimi dhe qetësie, por vijnë edhe kohë shqetësimesh, vendimesh të vështira dhe dhimbjesh zemre. Në ato çaste duhet të mbahemi fort pas Tij, sepse Ai na mban të sigurt, që të mos rrëzohemi.”
Teksa vitet kalojnë, mësojmë se është gjithmonë më e mençur të mos nxitohemi, derisa të jemi të sigurt se hapat që po ndërmarrim janë në përputhje me vullnetin e Zotit. Pali na mëson: “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, me lutje dhe përgjërime, bashkë me falënderim, bëjani të njohura kërkesat tuaja Perëndisë” (Filipianëve 4:6).
Më kujtohet koha kur po kërkoja një bashkëshort dhe kisha pritshmëri shumë të larta. Pas njëfarë kohe, vendosa t’ia dorëzoja vullnetin tim Zotit dhe u luta: “Jezus, të lutem, më dhuro një burrë të mirë, dikë që të të dojë po aq sa të dua unë dhe që dëshiron të të shërbejë ashtu siç dëshiroj unë.” Nuk kaloi shumë dhe takova bashkëshortin tim. Kaluam së bashku një jetë të mrekullueshme. Ai ishte i dashur, besnik, gazmor dhe plot besim. Këtë parim të dorëzimit të vullnetit tim në duart e Zotit e kam zbatuar edhe në shumë vendime të tjera, të mëdha e të vogla.
Shpesh lutem me lutjen e qetësisë, e cila është shumë e njohur në grupet e terapisë:
“O Zot, më dhuro qetësinë për të pranuar gjërat që nuk mund t’i ndryshoj, guximin për të ndryshuar gjërat që mundem dhe mençurinë për të dalluar ndryshimin mes tyre.”
Me fjalë të tjera, lutem: “Më trego, o Zot, çfarë duhet të bëj dhe çfarë nuk duhet të bëj në këtë çast. Cila është pjesa ime dhe çfarë duhet të lë në duart e Tua? Cila është mënyra më e mirë për ta përballuar këtë situatë?”
Tani që kam bërë shtatëdhjetë udhëtime rreth diellit dhe kam përjetuar gjithë ulje-ngritjet e këtij rrugëtimi njerëzor, mund të them me bindje se ia vlen gjithmonë të kërkojmë vullnetin e Zotit gjatë rrugëtimit tonë. Zoti u jep më të mirën atyre që ia lënë Atij në dorë zgjedhjet e tyre!
- E shkruar fillimisht nga teologu protestant Reinhold Niebuhr në fillim të viteve 1930. ↑
