Kur Jezusi iu shfaq dishepujve të Tij pas ringjalljes, i përshëndeti me fjalët: “Paqja qoftë me ju! Sikurse më ka dërguar Ati, ashtu edhe unë po ju dërgoj ju” (Gjoni 20:21). Sot, si ndjekës të Krishtit, edhe ne jemi thirrur të ndajmë lajmin e mirë të ungjillit me të tjerët. Në numrin e këtij muaji të revistës do të zbulojmë mënyra të ndryshme se si mund të jemi drita e Tij në këtë botë.

Njerëzit e vlerësojnë kur tregojmë interes të sinqertë për ta si individë, dhe një buzëqeshje miqësore është një fillim i mirë për pothuajse çdo bisedë. Të dëgjuarit me vëmendje është shpesh hapi i parë për t’u treguar të tjerëve dashurinë e Zotit. Kur e dëgjojmë dikë me kujdes, zakonisht gjejmë diçka të përbashkët që mund të na çojë drejt një bisede më të thellë. Të ndajmë besimin tonë nuk duhet të jetë diçka e ndërlikuar. Pak njerëz dëshirojnë të dëgjojnë një fjalim të mbushur me doktrina, por shumë e vlerësojnë kur u tregojmë për përvojat tona personale ose u themi disa fjalë të thjeshta që përcjellin shpresë dhe besim. Koha që kalojmë me dikë nuk është kurrë e kotë apo e pavlerë.

“A ka vallë dikush që interesohet vërtet për mua?” Mund të na habisë të mësojmë se sa shumë njerëz e mbartin vazhdimisht këtë pyetje në mendje, duke u përballur me pasigurinë nëse dikush kujdeset vërtet për ta. Por ne e dimë përgjigjen. “Po! Zoti kujdeset për ty dhe të njeh personalisht. Ai e njeh thellësisht qenien tënde, çdo mendim dhe çdo shqetësim të zemrës sate. Jezusi dëshiron të jetë pjesë e jetës sate.”

Sa më e ftohtë dhe më e largët të bëhet bota, aq më shumë shkëlqen flaka e vogël e besimit tonë. Mos lejo që ajo të shuhet! Le të mos e nënvlerësojmë veprimin e Shpirtit të Zotit brenda nesh. Nëse hedhim hapin e parë, edhe kur ndihemi të ndrojtur, Fryma e Shenjtë do të flasë përmes nesh për të sjellë shpresë dhe dritë në jetën e dikujt. Kur lartësojmë Jezusin, Ai do t’i tërheqë njerëzit drejt Vetes.

“Tani, në tokë, Krishti nuk ka trup tjetër përveç trupit tuaj, as duar të tjera përveç duarve tuaja, as këmbë të tjera përveç këmbëve tuaja. Sytë tuaj janë sytë përmes të cilëve dhembshuria e Krishtit vështron botën.” 1

Për shumë njerëz, e vetmja dashuri e Zotit që do të njohin është ajo që shohin tek ne. Mund të habitesh kur të shohësh se çfarë ndikimi mund të ketë në shpirtin e dikujt një fjalë e mirë, një shprehje besimi apo një vështrim plot dhembshuri. Nëse e shohim çdo njeri si dikë që ka nevojë për Jezusin, Shpëtimtarin tonë, dashuria e Zotit do të rrjedhë përmes nesh drejt tij.

Njerëzit njohin mjaft ferrin. Le t’u tregojmë pak më shumë nga parajsa!


  1. Shpesh i atribuohet Shën Terezës së Avilës ↑