Unë dhe gruaja ime po shëtisnim në një fushë me bar në Australi. Kalonim pranë një gardhi që rrethonte disa kuaj që kullotnin qetësisht, kur papritur dëgjuam një zhurmë të trishtuar. Një harabel i vogël ishte ngatërruar në një fill. Disa si kishte ndodhur, këmba e tij ishte kapur në një fije që varej nga tela e gardhit, dhe harabeli rrihte krahët me tërbim, duke u përpjekur me gjithë fuqinë të çlirohej, por pa sukses.
U përpoqëm t’i afroheshim për ta ndihmuar, por krijesa e vogël s’donte t’ia dinte. Sa më shumë që i afroheshim, aq më me dëshpërim rrihte krahët dhe pipëtinte. Ne kërkuam në xhepa për diçka që mund të priste fillin. Gruaja ime gjeti një çelës, dhe me të arriti ta priste fillin pa shumë mundim. Menjëherë harabeli u ngrit e fluturoi sa më larg që mundi, pa u kthyer të na falënderonte.
Ndonjëherë ndihemi edhe ne si ai harabeli. E gjejmë veten të bllokuar në rrethana të vështira. Pikërisht kur jemi më pak të përgatitur, problemet duken sikur trokasin njëra pas tjetrës. Mund të humbasim punën, të sëmuremi, ose të grindemi me dikë që duam. Ndoshta na pushton depresioni, stresi në punë apo vështirësitë financiare.
Por ndoshta, nëse do të kujtonim hallin e atij harabeli të vogël, do të kuptonim diçka të rëndësishme: Zoti është gjithmonë aty për ne, ashtu siç është edhe për zogun më të vogël. “Asnjë harabel nuk bie në tokë pa dijeninë e Atit tuaj” (Mateu 10:29), dhe Ai është gjithmonë duke u përpjekur të na ndihmojë — nëse vetëm do ta lejojmë. T’i besosh Zotit do të thotë t’i çlirosh shqetësimet dhe t’i japësh shpirtit paqe, duke ditur se Ai do t’i zgjidhë gjërat në kohën e vet. Gjithçka që duhet të bëjmë është të besojmë dhe të pranojmë ndihmën e Tij që vjen nga qielli. Ashtu si harabeli, edhe ne mund të përjetojmë një përfundim të lumtur ndaj vështirësive tona.