Një alternative e suksesshme

Ivanin e njoha në vitin 1995 ndërsa mblidhja ndihma në Itali për t’i shpëndarë në kampet e refugjatëve në Kroaci dhe Bosnje. Më kujtohet buzëqeshja e tij dhe shtrëngimi i ngrohtë i dorës.

E takuam sërish pas disa viteve. Na telefonoi për të na dhënë disa kuti me veshje që kishte mbledhur, prandaj shkuam në shtëpinë e tij ku takuam bashkëshorten e tij Franceskën dhe dy fëmijët e tyre. Që atëherë, kemi qenë në kontakt dhe me kalimin e kohës kemi mësuar shumë nga njëri-tjetri.

Ivani dhe Franceska shpesh thonin se ndiheshin të mërzitur nga përpjekja për t’u përshtatur në një shoqëri që po humbiste vlerat. Ata donin të krijonin një tjetër mënyrë jetese, por nuk dinin se si. Më pas, kur i vizitova së fundmi, vura re menjëherë se diçka kishte ndryshuar. Dhoma e ngrënies kishte më tepër tavolina të cilat u mbushën shumë shpejt me një “lumë” fëmijësh plot hare nga lagjja. Ivani ishte i zënë duke u shërbyer dhe më prezantoi me Klaudion dhe Manuelën, një tjetër çift të cilët jetonin në të njëjtin qytet dhe kishin të njetin vizion me Ivanin dhe Françeskën.

Më vonë, u njoha me shumë familje të tjera që ishin pjesë e rrjetit që quhej Gruppi di Acquisto Solidale (Grupi i Blerjeve Solidare). Qëllimi ishte që të bashkëpunohej në mënyrë që të blihej ushqim dhe artikuj të tjerë të përditshëm direkt nga prodhuesi ose shumica me çmime të lira. Gjithashtu, lidhur me këto grupe, vlen të theksohet përdorimi i mallrave vendas dhe nga prodhues solidarë, mallrave të riciklueshëm dhe që nuk dëmtojnë mjedisin. Ivani dhe Françeska (dhe tashmë tre fëmijët e tyre) ishin disa prej themeluesve të degës lokale dhe pa qenë nevoja të thuhet, ata gjithmonë gjenin një mënyrë për t’u dhënë pak dashuri dhe vëmendje fqinjëve, “afër apo larg tyre.”

Para pak muajsh, ata organizuan një drekë për një grup familjesh në nevojë, që ne sollëm në shtëpinë e tyre. Ata bënë maksimumin që të na mirëprisnin të gjithëve, 16 vetë, dhe na shërbyen ushqimet shumë të shijshme që kishin përgatitur. Pas drekës, të gjithë morën nga një shishe të vogël me vaj ulliri prodhuar nga ullinjtë e bahçes së tyre.

E ndërsa koha kalon duket qartë se ajo që dikur ishte një eksperiment, sot është kthyer në një zgjedhje alternative për jetën, e provuar dhe vërtetuar.