Një nga librat e mi të preferuar gjatë fëmijërisë ishte Gra të vogla (Little Women), nga Louisa May Alcott. Romani flet për jetën e katër motrave: Meg, Xho, Beti, and Emi Març, duke përshkruar me hollësi kalimin e tyre nga fëmijë në gra. Kishte analogji me familjen time, duke qenë se edhe unë kisha motra, dhe më e vogla, e lindur para kohe, më kujtonte shumë Betin e brishtë dhe të ëmbël. Nuk m’u desh shumë kohë të identifikohesha me Xhonë dhe me personalitetin e saj të fortë dhe emocional, me sjelljet e saj djaloshare, dashurinë e saj për letërsinë, refuzimin e saj fillestar mbi idenë e martesës, e kështu me radhë. Ajo ishte shembulli im i fshehtë.

Në botimin italian të Gra të Vogla, romani është i ndarë në dy libra, i pari që përfshin fëmijërinë e katër motrave dhe vitet e adolishencës. Kur lexova vazhdimin disa vite më vonë, u zhgënjeva krejtësisht dhe pothuajse ndjeva neveri. Çfarë kishte ndodhur me Xhonë time? Ajo në fakt përfundoi duke u martuar dhe duke bërë fëmijë! Në asnjë mënyrë! E flaka librin mënjanë, dhe ajo shënjoi fundin e “marrëdhënies” sime me Xhonë.

Sigurisht, vitet kaluan, dhe gjithashtu edhe unë u martova dhe bëra fëmijë. Madje tani kam edhe nipër e mbesa! Kur vizitova për herë të fundit prindërit e mi, e gjeta atë libër të vjetër dhe të mbushur plot pluhur në një kuti në papafingo, dhe ndjenjat e vjetra të tërheqjes dhe të zhgënjimit të kombinuara së bashku u rishfaqën, por unë e mora me vete dhe e rilexova atë për herë të parë në dekada. Kur arrita në faqen e fundit, kisha bërë paqe me Xhonë dhe nuk ndihesha më e tradhëtuar nga zgjedhjet e saj. Arrita të kuptoja se pavarësisht ndryshimeve që kishte bërë në planet e saj, ajo i kishte qendruar besnike vetes dhe idealeve të saj, zemra e saj ishte më e gjallë se kurrë me kalimin e viteve.

Ajo më bëri të kuptoja se të rritesh është e pashmangshme, është gjë e mirë. Siç tha dikush, “Të rritesh nuk është keq, nëse e mendon si alternativë” Çdo periudhë e jetës ka bukuri, origjinalitet, sfida dhe shpërblime unike. Është padyshim e mundur të rritesh pa humbur vlerat e tua bazë dhe ëndrrat e tua, pavarësisht se me çfarë të përball jeta. Edhe pse për momentin mund të mos i vësh re, ato janë aty, të ruajtura mirë dhe gati të dalin kurdo ti të jesh gati.