Teksa viti i kaluar po i afrohej fundit, po luftoja me shumë shqetësime që prej kohësh më kishin bërë të ndihesha e pasigurt. Një ditë hasa në një artikull që fliste për dallimin mes “sigurisë” (insurance) dhe “sigurisë së brendshme” (assurance). Siguria është një kontratë afatgjatë që garanton dëmshpërblim në rast humbjeje apo tragjedie në të ardhmen. Ndërsa siguria e brendshme na jep qetësi dhe liri nga dyshimi e pasiguria sot, këtu dhe tani. Kjo më bëri të mendoj: A është Zoti për mua siguri apo siguri e brendshme?

Ta kesh Zotin në jetën tënde është një formë sigurie. Ne e dimë se, çfarëdo që të ndodhë, Ai do të jetë me ne, do të kujdeset për ne dhe do të na bekojë sepse i besojmë. “Jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as gjërat e tanishme, as ato që do të vijnë, as fuqitë, as lartësia, as thellësia, as ndonjë gjë tjetër në gjithë krijimin, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Zotit që është në Krishtin Jezus, Zotin tonë” (Romakëve 8,38–39). “Ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën e atyre që e duan Zotin” (Romakëve 8,28).

Por në jetën time të përditshme, sidomos kur përballem me një vendim ose me një problem, ajo që dua dhe që më duhet në atë moment është siguria e brendshme. Edhe këtë Zoti na e jep. Ai na premton udhëheqje (Psalmi 32,8), furnizim për çdo nevojë (Filipianëve 4,19), si dhe hir e forcë në kohë të vështira (2 Korintasve 12,9). Ai na siguron gjithashtu: “Nuk do të të lë kurrë dhe nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13,5)—dhe kjo është po aq e vërtetë në rrethanat tona të sotme sa do të jetë gjithmonë.

Jeta është një varg sfidash dhe vendimesh. Kur përqendrohemi te pasiguritë, mund të mbetemi të paralizuar. Por kur ia sjellim problemet tona Zotit dhe e kërkojmë Atë në marrjen e vendimeve, siguria e Tij na jep paqe dhe Ai na udhëheq në drejtimin e duhur. “Nëse ndonjërit prej jush i mungon mençuria, le t’ia kërkojë Zotit… dhe do t’i jepet” (Jakobi 1,5). “Ki besim te Zoti me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në zgjuarsinë tënde. Pranoje Atë në të gjitha rrugët e tua, dhe Ai do t’i drejtojë hapat e tu” (Fjalët e Urta 3,5–6).

Kush e di çfarë do të sjellë viti që vjen? Me shumë gjasë një përzierje surprizash, suksesesh, zhgënjimesh dhe disa netësh pa gjumë. Por në çdo rrethanë, Zoti dëshiron të jetë edhe siguria jonë, edhe siguria jonë e brendshme—siguri për rrugën e gjatë dhe siguri e përditshme, hap pas hapi.