Çfarë do të sjellë ky vit i ri? A do t’ia dal mbanë? A jam gati të bëj ndryshimet që duhen? A do të ndeshem me pengesa të mëdha? A do të më përballë jeta me ndonjë sfidë të papritur? A do të kem forcë të qëndroj, edhe nëse gjërat marrin tatëpjetën?

Mendime të shpejta si këto mund t’ju kalojnë në mend kur afrohet një vit i ri, ashtu si më ndodhin edhe mua. Por kam mësuar t’i zbeh ato me premtimet e Fjalës së Zotit, e cila kthen errësirën në dritë dhe dëshpërimin në shpresë. Mbështetem te Zoti, i besoj Fjalës së Tij dhe zgjedh ta përballoj të ardhmen me besim.

Viti i kaluar solli për mua një sprovë të madhe, ndryshe nga çdo gjë që kisha kaluar më parë. Përjetova një çarje të aortës, një gjendje që pothuajse më mori jetën. E kapërceva këtë ngjarje të papritur vetëm falë hirit shërues të Zotit dhe paqes së Tij që tejkalon çdo gjë.

Mjekët u habitën që mbijetova. Sidomos sepse simptomat e para u keqinterpretuan dhe nuk u trajtova menjëherë. Më vonë mësova se shumë njerëz në këtë gjendje nuk arrijnë dot as në spital. Në rastin tim, Zoti më mbajti gjallë në mënyrë të mrekullueshme deri sa u gjenda më në fund në tryezën e operacionit.

Ndjenja që mbizotëroi tek unë dhe bashkëshortja ime përgjatë gjithë kësaj periudhe nuk ishte dëshpërim apo ankth, por paqe. Kjo është hir i mbinatyrshëm, një dhuratë që vetëm Zoti mund ta japë. Madje edhe mjekët vunë re paqen që më rrethonte.

Ndoshta ju është e njohur shprehja “paqe në mes të stuhisë”, ose fjala e urtë nga Dhiata e Vjetër: “Ti i jep paqe të përsosur atij që e ka mendjen te Ti, sepse të beson” (Isaia 26,3). Jezusi tha: “Paqen jua lë; paqen time jua jap. Unë nuk jua jap siç e jep bota. Mos u tronditni në zemër dhe mos kini frikë” (Gjoni 14,27).

Këto janë premtimet e Zotit për ju, për çdo rrethanë që mund t’ju dalë përpara këtë vit. Sfida mund të ketë, madje disa mund të duken të pakapërcyeshme. Mos u shqetësoni. Vendoseni plotësisht besimin tek Zoti, thirreni prej zemre, dhe paqja e Tij, që tejkalon çdo kuptim, do të ruajë zemrën dhe mendjen tuaj (Filipianët 4,6–7).

Uroj që paqja dhe hiri i Zotit t’ju shoqërojnë gjatë gjithë vitit që vjen.