Kur isha fëmijë, ime më mbante një pjesë të rrobave që kishin nevojë për t’u riparuar pranë makinës qepëse, kryesisht rrobat tona të fëmijëve dhe i qepte çdo të shtunë paradite. Kam shumë kujtime të bukura kur ulesha pranë saj e mësoja të qepja fustane për kukullat e mia. Por gjëja më e rëndësishme që më mësoi ishte një ditë kur më tha: “Jeta është njëlloj si këto riparime që bëj unë çdo javë. Nëse diçka nuk shkon mirë, ti e rregullon; nëse diçka griset, ti e riparon dhe në këtë mënyrë ti ecën përpara.”

Ndërsa rritesha kuptova se jeta nuk është si një rrobë e re. Ndonjëherë griset, ndonjëherë shqepet apo i bie një kopsë. Por siç më ka mësuar Mami, duhet të provojmë përsëri ose të kërkojmë ndjesë e të provojmë të korrigjojmë gabimin që kemi bërë. Dhe të falim gafat e të tjerëve apo t’i ndihmojmë të rregullojnë rrëmujën e krijuar.

Fjalët e Urta 27:6 thonë: “Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.” Kur e lexova për herë të parë, u çudita. Kisha menduar se shok quhej ai që thoshte vetëm gjëra pozitive dhe nuk korrigjonte apo kritikonte kurrë ndokënd. Mësova se mund të fitoja shumë nga vërejtjet e njerëzve që e dija se më donin, si miqtë e mi të vërtetë, bashkëshorti im, vëllezërit, motrat dhe fëmijët e mi.

Kuptova se për t’u përmirësuar shpirtërisht duhet të marrim informacion nga shumë burime dhe duhet t’i dëgjojmë këshillat e vlefshme e të reflektojmë rreth tyre për pak kohë, dhe jo t’i refuzojmë me kryeneçësi. Ne gjithashtu mund të këshillojmë miqtë tanë të mos bëjnë të njëjtat gabime që ne kemi bërë më parë dhe për të cilat jemi të sigurt se të çojnë në disfata dhe lëndime.

Kur ngasim makinën, më të lehtë e kemi  të shohim dritat e makinave të tjera se tonat. Ndodh e njëjta gjë edhe me dobësitë dhe të metat tona. Miqtë e mirë na ndihmojnë t’i shohim dhe përmirësojmë ato. Pastaj ne përmirësohemi shpirtërisht dhe arrijmë atë që Zoti priste prej nesh. Ne gjithashtu ndihemi më të lumtur e më të plotësuar ndërsa koha kalon, si ndjesia e kalimit të provimeve në shkollë e më pas kalimit në klasën tjetër.

Ndaj nëse diçka nuk shkon mirë mos humbni shpresë. Ka gjithmonë vend për përmirësim. Zoti është Ai që na jep një shans të dytë. E rëndësishme është të mësosh nga gabimet e tua, të kalosh klasën dhe të ecësh përpara. Mos harroni, nëse diçka griset zakonisht mund të riparohet.