Po mendoja për pashkët natën e shkuar, kur më erdhi një varg ndërmend: “Ai nuk e la shpirtin tim në ferr.” Më tingëlloi si një pjesë Bible, por nuk isha e sigurt. As nuk isha e sigurt nëse shkrimtari i referohej Jezusit.

Do të më pëlqente të thosha se nxora Biblën dhe e shfletova te ajo pjesë, por jo, nxora celularin inteligjent dhe e kërkova shprehjen në “Google”. Ishte vërtet në Bibël, dhe mund ta gjeni në Psalmin 16: “Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol.” 1

Pastaj doja të konfirmoja se për kë po fliste Davidi, ndaj zhbirova pak më tej. Fraza ishte cituar nga apostulli Pjetër në predikimin e tij të parë te Rrëshaja. 2 Jezusi sapo ishte ngjitur në parajsë dhe u kishte thënë dishepujve të Tij që Shpirti i Shenjtë do t’u vizitonte. Besimtarët plot ankth u mblodhën në dhomën e sipërme, duke pritur të shihnin çdo të ndodhte tjetër. Më pas, Shpirti i Shenjtë mori formën e flakëve të zjarrit, dhe ata të gjithë u mbushën me një fuqi dhe një guxim që nuk e kishin njohur kurrë.

Në atë kohë, Jerusalemi ishte mbushur me Hebrenj nga e gjithë bota. Këta besimtarë të përkushtuar kishin ardhur në Jerusalem për të festuar Pashkën e Çifutëve, një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin Hebre.

Pasi u mbushën me Shpirtin e Shenjtë, dishepujt dolën nga dhoma e sipërme në publik, ku filluan të thoshin ungjillin, në gjuhë të huaja, asnjërën prej të cilave nuk e dinin paraprakisht! Të gjithë pelegrinët në Jerusalem u mahnitën që këta njerëz flisnin gjuhët e tyre. Njerëzit po përpiqeshin të kuptonin si ishte e mundur që ata të flisnin gjuhë të cilat nuk i kishin mësuar kurrë. Disa nisën të talleshin: “Duhet të jenë të pirë.”

Më pas Pjetri, i njëjti Pjetër që e mohoi Jezusin disa javë më parë, u çua dhe iu drejtua turmës së stërmadhe: “Nuk jemi të pirë; është vetëm ora nëntë e mëngjesit. Ne jemi të mbushur me Shpirtin njësoj sipas profecisë së profetit  Joel.”

Ai vazhdoi të shpjegonte se Jezusi i Nazaretit, ai që të gjithë e dinin se ishte kryqëzuar kohët e fundit, ishte Biri i Zotit, të cilin Zoti e ringjalli. Dhe iu referua profecisë së Davidit në Psalmin 16:

“Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme. Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij; dhe, duke e parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen. Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!” 3

Fjalimi i Pjetrit qe shumë i fuqishëm dhe falë tij, 3000 besimtarë u shtuan kishës atë ditë.

Kur e lexova këtë kapitull, u mahnita nga fjalimi i Pjetrit. Ai nuk qe vetëm guximtar, ai dukej gjithashtu i edukuar. Ai iu referua profetëve hebre dhe profecisë, si dhe foli me një qartësi, për të cilën nuk qe njohur më parë. Ishte e qartë se ishte vepër e Shpirtit të Shenjtë.

Përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij, Jezusi na dha dhurata që kanë ndryshuar plotësisht rrjedhën e njerëzimit. Këto dhurata janë:

  1. Shpëtimi dhe një marrëdhënie personale me Zotin,
  2. Shpirti i Shenjtë, dhe
  3. Dhurata e shërimit, përmes vuajtjes së Tij në kryq. 4

Kur Jezusi ishte me dishepujt e tij, ata nuk mund ta kishin dhuratën e Shpirtit të Shenjtë. Ai duhet të largohej nga ta, në mënyrë që ta të mund të kishin Shpirtin e Shenjtë: “Por unë po ju them të vërtetën: Është më mirë për ju që unë të shkoj, sepse po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t’jua dërgoj.” 5

Nuk e kam menduar kurrë Shpirtin e Shenjtë si diçka për ta festuar në Pashkë, por tani e mendoj. Sepse largimi fizik i Jezusit nga dishepujt e Tij, ishin, dhe ne jemi të aftë të marrim dhuratën e Shpirtit të Shenjtë, thjesht duke pyetur: “Nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t’ua japë prej qiellit Shpirtin e Shenjtë atyre që ia kërkojnë!” 6

Duke menduar në këtë mënyrë për Shpirtin e Shenjtë,  i kam dhënë një kuptim tjetër vlerësimit tim për Pashkët. Jam mirënjohës për këtë botëkuptim të thellë të asaj çka Jezusi ka bërë për mua, dhe kjo është diçka që nuk dua ta marr kurrë si të mirëqenë.

  1. Psalmet 16:10
  2. Shih Veprat 2.
  3. Veprat e Apostujve 2:29–32
  4. Shih Isaia 53:5.
  5. Gjoni 16:7
  6. Luka 11:13