Ndriço dritën tënde!

E njoha Marinën, thuajse 20 vite më parë, në një punishte që organizonte një OJQ japoneze për gratë refugjate të Bosnjës. Ajo ishte e afërt dhe miqësore, dhe pa dyshim i shtonte prekjen e saj shumë origjinale evenimentit, edhe pse ajo vetëm i ndihmonte këto gra të bënin disa letra të thjeshta përshëndetëse. Disa vite më vonë, ajo shoqëroi dy autobusë me të njëjtat gra refugjate për në Itali, si pjesë e një programi shkëmbimi. Atëherë, arrita ta njihja anën e saj të humorit! Ajo ishte gjithmonë duke e gjallëruar atmosferën me shaka, këngë dhe të qeshurën e saj tërësisht ngjitëse.

Më pas, dëgjova që kishte probleme martesore. Dhe ndërkohë që jeta e saj hyri në një fazë të trazuar, ajo filloi të bënte më shumë vizita në punishte për të gjetur ngushëllim, lehtësim shpirtëror dhe për t’u lutur. Shpeshherë, i rridhnin lotët dhe personaliteti i saj, dikur i qeshur i kishte lënë tashmë vendin, trishtimit dhe dëshpërimit. Si të mos mjaftonte, ajo nisi një betejë me kancerin e gjoksit.

Më vonë, vumë re se ajo zhdukej çdo vit për disa kohë, në periudhën e Karnavaleve (një eveniment shumë i rëndësishëm në qytetin tonë). Një herë, im shoq e takoi në një paradë, të veshur si kloun me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Kur na vizitoi më pas, ai i tha: “Ti ishe një kloun i shkëlqyer, dhe jo vetëm i bëje të tjerët të lumtur, por edhe vetë ishe e lumtur si kurrë më parë! Ti ke marrë një dhunti nga Zoti! Pse nuk vjen me ne të bësh terapi klounësh? Të garantoj se do të të ndryshojë jeta!”

Ajo e pranoi sfidën dhe jeta e saj ndryshoi rrënjësisht! Ajo nisi të merrte pjesë në evenimentet tona të terapisë së klounëve dhe të trajnonte vullnetarë të rinj; kështu ajo filloi biznesin e saj të evenimenteve për festat e ditëlindjeve dhe festa të tjera. Ajo doli në televizionin vendas dhe nëpër gazeta, si dhe njerëzit ngado nëpër qytet e njihnin dhe e donin. Ndonjëherë, ajo sëmuret apo thjesht lodhet, dhe kjo është më se e kuptueshme, por jo për kohë të gjatë. E thënë me vetë fjalët e saj: “Vetëm disa ditë në shtëpi më mjaftojnë që të filloj të ndihem e trishtuar dhe e mbyllur në vetvete. Kam nevojë të vesh kostumin tim të klounit, të dal nga shtëpia, të nxjerr harenë brenda meje dhe të bëj dikë të lumtur. Kjo është kura më e mirë për problemet e mia.”