Them se isha rreth 14 vjeç, kur pata përvojën time të parë me trenin e maleve ruse. Pse vallë po e bëj këtë?! Mbaj mend që mendoja, teksa vagoni im gumëzhinte në uljen e parë dhe isha i tmerruar. Më pas, filloi rrahja e përshpejtuar e zemrës nga uljet dhe ngritjet ekstreme pa vend qëndrimi, pa dalje. Mundësia ime e vetme ishte të mbahesha fort për të shpëtuar jetën time dhe të mbaroja xhiron.

Muajt e parë pasi pranova Jezusin si Shpëtimtarin tim ishte si ajo xhiroja  me trenin e maleve ruse. Kishte raste kur isha lart dhe raste kur isha poshtë, shumë poshtë! Ndonjëherë mendoja, teksa “vagoni” im i vogël drejtohej për lart, Kjo është fantastike, dhe vazhdon të bëhet më mirë! Lumturia ka ardhur për të qëndruar! Më pas, arrija një majë dhe ndaloja një moment, përpara se të zhytesha në thellësitë e dyshimit dhe të zhgënjimit. Nuk e kisha mësuar ende se “jetojmë përmes besimit dhe jo përmes asaj që shohim.”  1 do të thoshte se unë supozohet të kapem fort pas vagonit tim të premtimeve të pandryshueshme të Zotit, jo ndjenjave të mia gjithnjë në ndryshim.

Në ditët e mia të lumtura “me humor” dola në përfundimin se duhet të kem bërë ndonjë gjë të mirë. Ndoshta kam qenë i përulur në mënyrë të veçantë ose kam ecur në rrugën që ka përcaktuar Zoti për mua. Çfarëdo të ketë qenë, më ka shtyrë drejt disa kufijve të padukshëm dhe tani i jam drejtuar një plani më të lartë shpirtëror, duke i lënë tokësorët e zakonshëm shumë mbrapa. Ndihesha sikur isha në krye të botës, dhe isha krenar për veten! Kisha ngjitur Everestin tim!

Por pa ndryshim, fiks kur po ndihesha kaq krenar për progresin dhe zbulesat e supozuara shpirtërore, pashë veten time të vërtetë me gjithë problemet e mia. Për tmerrin tim, zbulova se unë nuk kisha arrirë gjë prej gjëje. Mezi kisha arritur majën përkohësisht, një nga shumë xhirot e mia mujore me trenin e maleve ruse duke bazuar jetën time shpirtërore në ndjenja, me gjithë ngritjet dhe uljet e papritura.

Më në fund, në fund të xhiros, teksa i afrohesha një ndalese trullosëse dhe trallisëse, u shtanga kur zbulova se Zoti ende më do! Ai ishte si babai, që po më merrte në krahët e Tij, duke më siguruar se gjithçka do të shkonte mirë, dhe duke më mbajtur në krahë derisa ndjenja e përzierjes të kalonte.

M’u deshën disa xhiro të tilla, para se ta shihja me qartësi prej kristali sa e pakufizuar ishte në të vërtetë dashuria e Zotit. Pavarësisht sa poshtë zhytesha, apo sa lart mendoja se isha, dashuria e Tij ishte konstante. Sa herë që prekja fundin dhe më pas, i drejtohesha Atij nëpërmjet lutjeve, më kaplonte një ndjenjë paqeje, sigurie dhe pranimi. Sikur Ai më ngrinte, më pastronte, më jepte një puthje dhe një goditje të lehtë në shpinë, më vendoste përsëri në këmbë mbi tokën e palëkundur të Fjalës së Tij, dhe më tregonte drejtimin e duhur, gjithmonë me një buzëqeshje të dashur dhe disa fjalë inkurajimi. Vargu “Zoti është Dashuri” 2 mori një kuptim krejt të ri.

Më në fund, mësova se përpjekjet e mia për të nxitur një gjendje të vetë-përcaktuar shpirtërore vetëm e pengonin Zotin të më drejtonte jetën. Pasi dëshmova këtë, hoqa dorë së u përpjekuri aq shumë për të qenë dikush që nuk isha dhe fillova të besoja se Ai, në fakt, kishte kontrollin dhe do të më ndihmonte të bëhesha ç’ka Ai donte të bëhesha.

M’u deshën disa vite të kuptoja ç’është natyra e vërtetë shpirtërore, dhe s’është kurrsesi qëllimi të jesh “aty lart”. Përulësia e vërtetë është të shohësh që nuk mund t’ia dalësh pa dorën e përzemërt të Zotit, që rregullon jetën time, dhe feja e vërtetë është ta kalosh tek të tjerët dashurinë e Tij.

Tani, sa herë që shoh një tren malesh ruse ndaloj dhe dërgoj një lutje për ta falënderuar Zotin për dashurinë dhe durimin e Tij dhe se Fjala e Tij më zbriti nga xhiroja e ndjenjave të trenit të maleve ruse dhe botës së vetë-sajuar shpirtërore dhe vazhdon të më mbajë në rrugën e duhur, në rrugën e drejtë dhe të ngushtë që më drejton për te jeta qiellore me të, tani dhe përgjithmonë!

Zoti nuk na do ngaqë jemi të mirë apo se punojmë fort për Të. Ai na do sepse dashuria është cilësia kryesore e karakterit të Tij dhe sepse Ai e zgjedh kështu. Dhe Ai zgjedh të na bëjë një ftesë gjithsecilit prej nesh: “”O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht! Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.” 3 Ti mund ta pranosh ftesën e Tij tani:

I dashur Jezus, unë e pranoj dashurinë dhe ftesën Tënde. Të lutem, eja në jetën time dhe më fal për të gjitha të këqijat që kam bërë. Më ndihmo të të dua Ty dhe të tjerët. Amen.

  1. 2 Korintasve 5:7
  2. 1 Gjonit 4:8
  3. Isaia 55:1,3