Ka njerëz pafund, brenda dhe jashtë kontekstit të historisë së Biblës,  jeta e të cilëve ka ndryshuar pasi kanë takuar Jezusin.

Pali është shembulli perfekt që tregon fuqinë e Jezusit për të transformuar jetët tona. Ai ishte një Farise (anëtar i një grupi fetar të lashtë Hebre) i cili ishte totalisht kundër ndjekësve të Jezusit, saqë ndërmori një kryqëzatë për burgosjen dhe ndonjëherë edhe vrasjen e tyre. Megjithatë, pasi “pa dritën” gjatë rrugës për në Damask dhe pas një ndryshimi dramatik që pësoi, ai u bë një nga liderët kryesorë të Krishtërimit të hershëm. Ai ka shkruar rreth dy të tretat e Dhjatës së Re dhe ishte pa dyshim një nga forcat kryesore lëvizëse për ungjillizimit e botës jo hebraike të asaj kohe.

Ky është një transformim i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye, mund të duket i paarritshëm. Shumë prej nesh duam të përmirësojmë veten, por nuk mendojmë se do të mund të arrijmë një ndryshim rrënjësor. Në fund të fundit, sa prej miliona besimtarëve të Krishterë të konvertuar çdo vit u shkruhet “emri në letër” si Palit, për të mos folur për 2.2 miliardë të tjerë të Krishterë që ekzistojnë sot?

Pandaj, për ta kuptuar më mirë, le të shikojmë edhe njerëz të tjerë që takoi Jezusi.

Është gruaja me një të kaluar të dyshimtë, e cila gjeti qetësinë mendore. 1 Është taksambledhësi, i cili vendosi të ndryshonte sjelljen e tij të pandershme. 2 Janë të gjithë njerëzit e tjerë, të cilët lumturoheshin kur e dëgjonin Atë ndërsa fliste. 3 Është gruaja që për herë të parë pas 18 vitesh mundi të mbajë shpinën drejt. 4 Madje edhe Tomasi, mendimet analitike të të cilit bëheshin shpesh pengesë, zbuloi besimin e vërtetë gjatë prekjes së Shpëtimtarit të ringjallur. 5

Transformimet e Zotit janë në përmasa të mëdha e të vogla. “Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re.” 6 Krijimi i ri nuk ndodh menjëherë, por sa më shumë jetojmë në Jezusin ditë pas dite, aq më shumë arrijmë potencialin tonë.

I dashur Zot, më ndihmo të jetoj në Ty ditë pas dite në mënyrë që Ti të punosh në mua dhe të më ndihmosh të bëhem më shumë si Ti.

  1. Shih Luka 7:44-50.
  2. Shih Luka 19:1-10.
  3. Shih Luka 8:40
  4. Shih Luka 13:11-13.
  5. Shih Gjoni 20:28
  6. 2 Korintasve 5:17