Dhurata

Krishtlindja mund të përqaset me një dhuratë Krishtlindjeje, ku dhënësi është Zoti, dhurata është Jezusi, dhe marrësi është si e gjithë bota mbarë dhe gjithsecili prej nesh personalisht. Analogjia bazohet në atë që me shumë gjasa është vargu më i njohur dhe më i rëndësishëm në Bibël, Gjoni 3:16. E kam dëgjuar shumë herë analogjinë përgjatë viteve dhe madje, e kam përdorur edhe vetë, por letra elektronike e mëposhtme nga Paloma Sridhar në Bangalore, të Indisë, i shtoi një kuptim të çuditshëm:

Kisha vendosur t’i mësoja Gjonin 3:16 motrës sime të vogël, Rozit, gjashtë vjeçe, por në vend të kësaj, bëra vetë një zbulim befasues. Biseda jonë rrodhi pak a shumë kështu:

“A e di, Rozi, që duhet vetëm një varg nga Bibla për t’i shpjeguar njerëzve pse mund të jenë të sigurt se do të shkojnë në parajsë, kur të vdesin?”

“Cili varg?” më pyeti Rozi.

“Gjoni 3:16. Është kështu —  “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëlindur…’”

“E njoh këtë varg!” më ndërpreu Rozi.

“Në rregull, atëherë. Mund të ma thuash?”

“Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e amshuar. Gjoni 3:16.”

“Shumë mirë! Por Zoti nuk ka vetëm një bir të vetëlindur…”

Ndalova së foluri në mes të fjalisë. Sa e thjeshtë është të mbetesh në nxitimin e jetës së përditshme, saqë mendojmë vetëm kalimthi për Jezusin!

Sa e vërtetë, dhe sa e trishtueshme, veçanërisht në ditëlindjen e Tij! Thjesht mendoni si do të ndiheshit ju, sikur në ditëlindjen tuaj të gjithë të festonin dhe t’i jepnin njëri-tjetrit dhurata, por t’ju linin juve vetëm, të ulur në një cep të pavënëre. Këtë Krishtlindje, mos harrojmë të falënderojmë Zotin për dhuratën e Tij të pakrahasueshme ndaj botës, Jezusin.

* * *

Disa prej nesh… mendojnë, Sikur vetëm të kisha qenë aty! Sa i gatshëm do të isha për të ndihmuar Fëmijën. Do të kisha larë ndërresat e Tij. Sa i lumtur do të isha të shkoja me barinjtë të shihja Zotin duke u shtrirë në koritë! Po, do të ishim. E themi sepse e dimë se sa i mrekullueshëm ishte Krishti, por po të kishim qenë atje në atë periudhë, ne nuk do të kishim vepruar ndryshe nga njerëzit e Betlehemit. … Pse të mos e përjetojmë tani? E kemi Krishtin në lagjen tonë. – Martin Luther (1483–1546)