Një premtim biblik që e citoj shpesh si lutje kur kam nevojë të vë rregull në ditën time është Fjalët e Urta 16:3, që thotë: “Besoi Zotit veprat e tua dhe mendimet e tua do të vendosen.” Por shpeshherë i ngatërroj fjalët dhe lutem që t’ia besoj Zotit mendimet e mia, që veprat e mia të kenë sukses. Më në fund kuptova se të dyja janë të rëndësishme, sepse veprat tona fillojnë me mendime, ide dhe përgjegjësi që duhen planifikuar, e më pas këto plane duhen vënë në zbatim.
Zoti më tregoi se duhet të përqendrohem te qëndrimi i zemrës sime. A kërkoj udhëheqjen e Tij? A jam e përkushtuar t’i ndjek parimet e Fjalës së Tij? Nuk mund t’ju them saktësisht se si funksionon kjo, por mund të them se kur lutem dhe i kërkoj Zotit të drejtojë mendimet e mia, ngjarjet e ditës duket se rrjedhin më mirë. Ndihem më e përgatitur për të përballuar sfida të papritura. Madje, një “ngjarje e pa planifikuar” shpesh mund të bëhet pika më e bukur e ditës sime.
Parimi i vendosjes së prioriteteve është tema e këtij numri të shkurtit të Activated. Shumica prej nesh jetojmë jetë mjaft të strukturuara, dhe ata që janë më të organizuar zakonisht mbajnë axhenda që i kontrollojnë me përpikëri, për të mos dështuar në përgjegjësitë e tyre. Megjithatë, ndonjëherë Zoti mund të dëshirojë që të dalim jashtë rutinës për t’u bërë pjesë e një aventure të paplanifikuar. Ndoshta Ai ka një mision për ne, ose ndoshta thjesht ka nevojë që të kalojmë kohë cilësore me Të.
Misionari dhe autori Norman Grubb lutej me një lutje të veçantë për të nisur ditën:
“Mirëmëngjes, Zot. Të dua! Çfarë po bën sot? Dua të jem pjesë e saj. Faleminderit, Zot. Amen.”
Sa e mrekullueshme është ta vendosësh ditën në duart e Zotit! Kush e di çfarë aventure ka planifikuar Ai, ndërsa ne i lejojmë të na prijë dhe të na udhëheqë.
Çdo ditë mund të fillojë me pritje dhe shpresë. Çfarë ka përgatitur Zoti për mua sot? Nga gjërat më të zakonshme deri te përjetimet emocionuese, Zoti dëshiron të jetë pjesë aktive e jetës sonë. Prandaj, siç më kujton vargu që përmenda më herët, kur ia dorëzoj Atij mendimet dhe planet e mia, mund t’i besoj se do të më prijë dhe do të më drejtojë. “Njiheni Atë në të gjitha rrugët tuaja, dhe Ai do t’i drejtojë shtigjet tuaja” (Fjalët e Urta 3:6).
Zoti ju udhëheqoftë ndërsa vendosni prioritetet tuaja këtë muaj dhe gjatë gjithë vitit!
