Një nga mënyrat se si ne, të krishterët, mund të tundohemi ta fshehim dritën tonë, është duke i krahasuar dhuntitë që kemi me ato të të tjerëve. Shikoj këngëtarin që këndon këngë të bukura adhurimi dhe lavdërimi, plot ndjenjë e përkushtim, dhe pyes veten se çfarë mund të bëj unë me zërin tim të hollë e të dridhur përballë një zëri të tillë. Dëgjoj fjalët e fuqishme të një pastori, të një predikuesi apo të dikujt që e njeh vërtet mirë Biblën, dhe fjalët e dëshmia ime më duken të dobëta. Mrekullohem nga dikush që drejton një organizatë bamirësie ose ndërmerr nisma që sjellin ndryshime të mëdha në komunitet, ndërsa ndikimi im më duket fare i vogël.
Dhuntitë e mia janë të heshtura. Ato më duken si ato dhunti që luajnë rolin e instrumentit të dytë, duke mbështetur ata që shkëlqejnë, duke inkurajuar ata që udhëheqin dhe duke shërbyer pa rënë në sy, prapa skenave. Por pikërisht në çastin kur i nënvlerësoj dhuntitë e mia dhe mendoj se nuk i vlejnë askujt, dëshmia jonë e përbashkët dobësohet pak dhe drita jonë fillon të dridhet. Mua më ka ndodhur kjo shumë më shpesh nga sa dua ta pranoj.
Shkrimi i Shenjtë na kujton:
“Ne kemi dhunti të ndryshme, sipas hirit që na është dhënë; le t’i përdorim ato” (Romakëve 12:6).
“Secili të qëndrojë në atë gjendje në të cilën ishte kur u thirr” (1 Korintasve 7:20, NKJV).
“Në qoftë se të gjitha do të ishin një gjymtyrë e vetme, ku do të ishte trupi? Por tani ka shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm” (1 Korintasve 12:19–20).
Për Zotin, të gjitha dhuntitë tona janë të rëndësishme dhe mund të sjellin ndryshime të vërteta. Në fakt, ndikimin më të madh e kemi kur i përdorim dhuntitë tona, edhe ato që nuk bien në sy, sa më mirë që mundemi. Dhuntitë tona janë krijuar për të punuar së bashku me ato të të tjerëve, në harmoni, duke e mbështetur njëri-tjetrin.
Në një orkestër, çdo instrument ka rëndësinë e vet dhe çdo tingull është i nevojshëm për ta bërë përvojën muzikore të plotë. Një orkestër e përbërë vetëm nga violina, ku të gjitha luajnë të njëjtat nota në të njëjtin tonalitet, nuk mund të ketë kurrsesi të njëjtin ndikim si një orkestër ku telat, instrumentet e drurit, instrumentet prej tunxhi dhe perkusionet bashkohen për të krijuar një simfoni të plotë e madhështore.
Prandaj, të ftoj t’i përdorësh dhuntitë e tua të heshtura dhe t’i bësh ato të dëgjohen! Ti je pjesë e orkestrës së madhe e të mrekullueshme të Zotit. Notat që je thirrur të luash kanë rëndësi. Mos harro, tingulli i pikolos nuk vjen nga violina.
