Në një botë ku ka njerëz që janë të gatshëm të bëjnë pothuajse gjithçka për të ecur përpara, pa e vrarë shumë mendjen për ndërgjegjen apo ndjenjat e të tjerëve, është vërtet freskuese të takosh dikë që sillet me ndershmëri dhe integritet në punën e tij.

Këto cilësi kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Klientët që janë trajtuar mirë, do të kthehen përsëri. Mjekët që tregohen të dashur dhe të ndershëm në ushtrimin e profesionit të tyre, krijojnë marrëdhënie të afërta me pacientët, të cilët më pas i rekomandojnë me kënaqësi te familjarët dhe miqtë e tyre. Një mjeshtër që e kryen punën me kujdes, pa bërë shkurtime apo pa anashkaluar asgjë nga sa kërkohet, do të ketë gjithmonë kërkesa për shërbimet e tij. Ndërsa një servis riparimesh që ofron çmime të drejta dhe ka mekanikë të zotë, do të ketë gjithnjë e më shumë punë.

Njerëzit presin që të krishterët të jenë të ndershëm dhe të veprojnë me integritet. Shpesh, ata na vëzhgojnë për të parë nëse jemi të krishterë me të vërtetë, në fjalë dhe në vepra, apo vetëm e mbajmë këtë emër. Ja disa vargje nga Bibla që më ndihmojnë të kujtoj se si pritet të sillem si e krishterë:

“Ne përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë, jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve” (2 Korintasve 8:21).

“Të bësh atë që është e drejtë dhe e ndershme i pëlqen Zotit më shumë se flijimi” (Fjalët e Urta 21:3, NIV).

“Zoti i urren buzët gënjeshtare, por kënaqet me njerëzit që janë të besueshëm” (Fjalët e Urta 12:22, NIV).

“Kujtoju atyre … të jenë gati për çdo vepër të mirë, të mos flasin keq për askënd, të shmangin grindjet, të jenë të butë dhe të tregojnë mirësjellje të përsosur ndaj të gjithë njerëzve” (Titit 3:1–2).

“Dashuria është e durueshme dhe e mirëdashur. Dashuria nuk ka zili, nuk mburret dhe nuk krenohet. Ajo nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesin e vet, nuk zemërohet lehtë dhe nuk mban mëri. Ajo nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën” (1 Korintasve 13:4–6).

“Nga kjo do ta njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35).

“Bëjuani të tjerëve atë që dëshironi që ata t’ju bëjnë juve” (Luka 6:31).

Është mirë të ndalemi për një çast dhe të mendojmë se si do të ndiheshim po të ishim në vendin e kolegut apo të klientit tonë. Pastaj, le të veprojmë në përputhje me këtë. Trajtojini të tjerët ashtu siç do të dëshironit t’ju trajtonin, jo në varësi të mënyrës se si ju trajtojnë ata.

Zoti dëshiron t’u tregojë të tjerëve dashurinë e Tij përmes nesh. Prandaj, është e rëndësishme të kujtojmë se veprat flasin më fort se fjalët.