Tregohet historia e një prifti që u shqetësua kur pa një burrë të moshuar, të veshur me rroba të thjeshta, të hynte çdo ditë në kishën e tij në mesditë dhe të dilte pas vetëm disa minutash. Çfarë mund të bënte aty? Ai njoftoi kujdestarin e kishës dhe e porositi ta pyeste plakun, pasi në kishë kishte sende të vlefshme.
“Unë vij për t’u lutur,” u përgjigj i moshuari, kur kujdestari e pyeti.
“Hajde, hajde tani,” i tha tjetri, “ti nuk qëndron mjaftueshëm gjatë për t’u lutur.”
“Eh, po ja, unë nuk di të bëj një lutje të gjatë,” vazhdoi burri, “por çdo ditë, në orën dymbëdhjetë, thjesht vij dhe them: ‘Jezus, jam unë, Xhimi.’ Qëndroj një minutë, pastaj largohem. Edhe pse është një lutje e vogël, unë besoj se Ai më dëgjon.”
Disa kohë më vonë, Xhimi pësoi një aksident dhe u shtrua në spital. Që nga dita e parë, ai solli një frymë të veçantë në pavion. Të sëmurët që më parë ankoheshin, tani ishin më të qeshur, dhe shpesh ambienti mbushej me të qeshura.
“Ej, Xhim,” i tha një ditë një infermiere, “burrat këtu thonë se ti je arsyeja që po ndryshon atmosfera në pavion. Thonë se ti je gjithmonë i gëzuar.”
“Ashtu është!” tha ai me buzëqeshje. “Nuk mund të mos jem i lumtur. E sheh, kam një vizitor. Çdo ditë ai më gëzon.”
“Një vizitor?” – u hutua infermierja. Ajo kishte vënë re se karrigia pranë shtratit të tij ishte gjithmonë bosh gjatë orarit të vizitave, sepse Xhimi nuk kishte të afërm. “Vizitor? Po kur vjen ai?”
“Çdo ditë,” u përgjigj Xhimi, me një dritë në sy. “Po, çdo ditë në orën dymbëdhjetë, Ai vjen dhe qëndron në fund të shtratit tim. Buzëqesh dhe më thotë: ‘Xhim, jam unë, Jezusi.’”
