Bota ku u rritën Jozefi dhe Maria, prindërit tokësorë të Jezusit, ishte tërësisht ndryshe nga bota e jonë sot dhe ata ishin shumë të rinj kur u fejuan. Në Izraelin e hershëm, një çift fejohej kur burri i jepte gruas në dorë ose nëpërmjet një korrieri, një letër ose një kartmonedhë pa i kushtuar rëndësi vlerës së saj. Kërkohej gjithashtu që ai të deklaronte hapur para dëshmitarëve, që synonte ta merrte gruan për bashkëshorte. Në kohën e fejesës, kontrata e martesës ishte shkruar dhe palët kishin rënë dakord. Sapo gruaja fejohej, ajo konsiderohej ligjërisht bashkëshortja e burrit.

Gjatë periudhës së fejesës së Maries, pasi ishte bërë kontrata me Jozefin, ajo u vizitua nga engjëlli Gabriel, i cili i tha se ajo ishte e përzgjedhura e Zotit dhe do të ngjizte një djalë që do të ishte Biri i më të Lartit. Ajo pyeti se si do të mund të ngjizej fëmija duke qenë se ishte e virgjër. Gabrieli i tha se Fryma e Shenjtë do të vinte mbi të, dhe fuqia e më të Lartit do ta mbulonte me hirin e vet. Gabrieli po i thonte se shtatzënia e saj do të vinte nga Zoti dhe jo nga një mashkull. 1

Maria duhet të merrte një vendim. Ajo do të mbetej shtatzënë gjatë fejesës së saj, para se të jetonte me bashkëshortin e saj. Nëse e aprovonte atë që engjëlli tha, ajo do të lëndonte bashkëshortin e saj, do të prishte reputacionin e saj, do të turpëronte prindërit dhe familjen, dhe do të dëmtonte marrëdhënien e saj me fshatin. Maria zgjodhi të pranonte pasojat kur tha: “Unë jam shërbëtore e Zotit, le të më ndodhë mua sipas fjalës tënde.” 2 Ky ishte një gjest i madh besimi nga ana e saj.

Dhe pati vërtetë pasoja. Jozefi u lëndua kur zbuloi se ajo ishte shtatzënë. Bibla thotë se “gjykoi”, 3 ai mendoi gjatë rreth tyre. Fjala greke e përdorur për “gjykim” do të thotë “me zemërim, inatosje, inat që vlon.” Nuk kishte arsye të mendonte gjë tjetër përveç asaj që ajo ishte treguar jobesnike ndaj tij. Në mendjen e tij, ajo kishte shkelur betimin e saj të martesës dhe kishte kryer tradhti bashkëshortore. Jozefi ishte një djalë normal si gjithë të tjerët, ndaj sigurisht që do të ndihej iinatosur dhe i lënduar.

Por Bibla thotë se ai ishte njeri i drejtë. Ai nuk donte ta bënte publike historinë e saj apo ta turpëronte, ndaj mori vendimin për t’u divorcuar pa shumë zhurmë. Pasi mori vendimin e divorcit dhe për të mos e ekspozuar Marinë, ai pa në ëndërr një engjëll që i tha se fëmija vinte nga Fryma e Shenjtë dhe se ai nuk duhet të trembej për të marrë Marinë për grua. Jozefi, në këtë pikë, duhet të merrte një vendim: a duhet t’i besonte ëndrrës? Ashtu si Maria edhe ai duhet të merrte një hap besimi. Zoti i tregoi çfarë të bënte dhe ai duhet të bënte një zgjedhje, të besonte Zotin ose jo. Fatmirësisht ai pati besimin dhe kurajon të besonte dhe të vepronte lidhur me atë që i kishte treguar Zoti.

Jozefi dhe Maria u përballën me një dilemë shumë të madhe. Të dy treguan besim dhe guxim te madh. Të dy zgjodhën të ndiqnin Zotin pavarësisht rreziqeve, dhe duke vepruar në këtë mënyrë i dhanë mundësinë Zotit që t’i përdorte ata për të përmbushur premtimin e Tij për të bekuar botën.

Sigurisht që askush nuk e di me saktësi se si foshnja Jezus u ngjiz tek Maria, si dhe askush nuk e di me saktësi se si Zoti krijoi universin. Ajo që ne dime është se Zoti krijoi një qënie njerëzore me karakter hyjnor dhe njerëzor, e cila ishte tërësisht Zot dhe tërësisht njeri. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe as nuk ka ndodhur më që atëherë. Luka thjesht thotë se Shpirti i Shenjtë, fuqia e Zotit, erdhi mbi Marinë dhe e mbuloi me hirin e vet. Ai përdori të njëjtën fjalë kur shkroi për transformimin e Krishtit, kur tha se ata i mbuloi një re dhe nga reja doli një zë që thonte: ”Ky është Biri Im, I përzgjedhuri Im; dëgjojeni Atë.” 4 Fryma e Zotit e mbuloi Marinë dhe solli në jetë të përzgjedhurin, njeriun-Zot, Jezu Krishtin.

Ishte gadishmëria e Jozefit për të ndjekur atë që Zoti i tregoi, që bëri të lindte fëmija i Marisë biri i Davidit. 5 Ishte gadishmëria e Marisë për të dhënë atë që Zoti kërkoi prej saj, që bëri që ajo të lindte Birin e Perëndisë. 6 Dhe Jezusi, Biri i Perëndisë, dha atë qëi Ati kërkoi prej Tij, dhe bëri të mundur shpengimin dhe faljen e njerëzimit. 7

Ndonjëherë mund të hezitoni për të vepruar ndaj një shtyse që ju jep Zoti. Kur t’ju ndodhë, kujtoni Marinë dhe Jozefin. Zoti ndonjëherë na fton të veprojmë me anë të besimit dhe të ndjekim udhëheqjen e frymës së Tij. Kurrë nuk i dihet se çfarë rezultati mund të marrim.

  1. Shih Luka 1:35.
  2. Luka 1:38
  3. Mateu 1:20
  4. Luka 9:35.
  5. Shih Mateu 1:1
  6. Shih Marku 1:1
  7. Shih Titus 2:13-14.