Përgjatë gjithë historisë, njerëzit kanë shënuar përparime, fitore dhe raste të rëndësishme me festime, disa prej të cilave vazhdojnë deri më sot, të tilla si ditëlindjet, përvjetorët, diplomimet, promovimet, Pashkët dhe Krishtlindjet.

Për ne që jemi të krishterë, njohja e Zotit sjell gëzim të thellë dhe të qëndrueshëm. Ne kemi arsye të vazhdueshme dhe të përjetshme për festim. Në fakt, ne do të festojmë përjetësisht në parajsë.

Përveç dhuratës së mrekullueshme të shpëtimit, jeta na ofron shumë arsye të tjera për të festuar. Edhe gjërat e vogla meritojnë të festohen, sepse festimi e rrit moralin. Dhe përveç argëtimit, veprimi i festimit ka vlerë të madhe.

Ja pesë përfitimet e të festuarit.

E festuara pranon dhe dëshmon për mirësinë e Zotit.

Është e shëndetshme shpirtërisht të mendosh për gjëra të mira dhe Bibla na udhëzon që t’i mbajmë mendimet tona të përqendruara në të mirën: “Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.”1

Ne jetojmë jetë të shpejta me sfida të shumta dhe ndërsa kalojmë nga njëra gjë në tjetrën, mund të jetë e lehtë të anashkalojmë ose të harrojmë për gjërat e mira, gjërat e bukura, gjërat e mrekullueshme dhe të dukshme që po ndodhin dhe që mund të festohen. Është e lehtë të harrohesh në punët e shumta të kësaj bote dhe të humbasësh nga sytë mirësinë e Zotit.

Dikush më tha një herë, “Sapo të heq një gjë nga lista ime, tre të tjera zënë vendin e saj!” A nuk është e vërtetë kjo? Tundimi është të nxitoni më shumë dhe të përpiqeni të gjeni kohë për më shumë. Por kjo nuk është përgjigjja. Siç thotë citati klasik, “Jeta është një maratonë, jo një sprint”.

Festimi i lajmeve të mira, arritjeve, fitoreve dhe përparimeve rrit besimin tuaj. Ajo gjithashtu shërben si një dëshmi e gjërave të mrekullueshme që Zoti po bën për ju dhe të tjerët. Shumica e njerëzve janë të lumtur të shohin të tjerët teksa ia dalin mbanë dhe Bibla na thotë të gëzohemi për gëzimet dhe fatin e mirë të të tjerëve. “Gëzohuni me ata që gëzohen.” 2.

Me anë të festimit pranon arritjet dhe synimet që keni arritur ju ose të tjerët.

Kur arrini një qëllim në jetën tuaj, është e rëndësishme të keni dikë për ta ndarë atë. Kjo mund të jetë aq e thjeshtë sa t’i thuash një shoku në telefon ose përmes chat-it, apo të postosh lajmet e tua të mira në mediat sociale.

Ndonjëherë dëgjoj për miqtë ose të njohurit e mi që po bëjnë shumë përparim, duke arritur synimet e tyre në jetë. E di që po u kushton shumë dhe se ata kanë punuar shumë për të arritur atje dhe shpresoj që ata të ndalojnë për të marrë frymë thellë dhe për të vlerësuar suksesin e tyre.

Të gjithë kanë nevojë për mirënjohje dhe vlerësim për përpjekjet e tyre. Ia vlen ta ndaloni ritmin e furishëm për të nderuar një fitore në jetën tuaj ose jetën e njërit prej të dashurve tuaj. Ia vlen të gjeni pak kohë për të pranuar dhe vlerësuar atë që ju apo dikush ka arritur.

E festuara na siguron një pauzë të natyrshme midis projekteve në jetën tonë plot angazhime.

E festuara na ndihmon të reflektojmë se sa larg kemi arritur. Nëse nuk ndaloni për të vlerësuar dhe festuar kur keni arritur në fund të një projekti ose keni pasur një fitore të veçantë, para se ta dini, gëzimi i fitores ose arritjes do të varroset nën listën tuaj të re të detyrave.

Kur punoni shumë për diçka, duhet të ndaleni dhe të kënaqeni të paktën pak kohë duke ditur që e keni përfunduar detyrën. Ia dole mbanë. Ia arrite! E arrite qëllimin, dhe duke festuar ka shumë të ngjarë të kuptoni plotësisht se gjithçka që keni shpenzuar në formën e kohës, energjisë, punës së palodhur, financave, etj., ia vlejti. Investimi juaj u pagua.

Katalogoni sukseset dhe fitoret tuaja.

Kur jeni duke u ngjitur në një mal dhe keni qenë në të për orë të tëra, dhe jeni të lodhur dhe ju dhemb gjithçka, mund t’ju ndihmojë të shikoni poshtë malit dhe të shihni se sa larg keni arritur. E njëjta gjë vlen edhe për qëllimet tuaja të jetës. Matja ose ndjekja e përparimit tuaj jep një ndjenjë kënaqësie dhe përfundimi. Gjithashtu rrit besimin tuaj se do të arrini në pikën tjetër dhe përfundimisht do të arrini qëllimin tuaj.

Është shumë e lehtë të mbani mend atë që keni bërë javën ose muajin e kaluar, por teksa muajt kalojnë, mund të jetë mjaft e vështirë të kujtoni të gjitha pengesat që ju është dashur të kapërceni për të arritur në vijën e finishit të qëllimit tuaj. Por ato pengesa që keni kapërcyer janë fitoret që meritojnë të festohen dhe kujtohen, dhe për disa prej nesh, mënyra për të kujtuar diçka është ta shkruani atë.

Nëse i shënoni ato arritje, në disa muaj apo një vit me siguri do të habiteni kur të shihni se sa keni arritur në të vërtetë. Ashtu si numërimi i bekimeve tuaja, numërimi i fitoreve ose hapave tuaj të përparimit do të shërbejë si një shtysë për besimin tuaj.

Është mirë të kënaqesh me një fitore, edhe nëse është e vogël. Dhe kur pranoni se diçka që keni bërë ju ose dikush tjetër ka shkuar mirë dhe ishte e suksesshme, kjo rrit vetëbesimin dhe vetëvlerësimin tuaj për projektin tuaj të radhës. Kjo taktikë është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për arritjet dhe përparimin e fëmijëve.

Festimi siguron një “karotë” për të cilën duhet të prisni kur të përfundoni një projekt ose të arrini një qëllim.

Mund të jetë motivim i fuqishëm, kur pret diçka me padurim. Nëse e dini që do të festoni, parashikimi i gëzimit ose argëtimit që do të keni mund t’ju japë shpresën që ju nevojitet për të kapërcyer vijën e finishit. Disa njerëz vendosin shpërblime ose përfitime për veten e tyre paraprakisht, gjëra që ata veçanërisht i gëzojnë dhe mund t’i presin me padurim kur kalojnë nëpër një punë rraskapitëse ose pjesë të një projekti.

Zoti i krijoi qeniet njerëzore për të festuar. Ai na udhëzoi që t’i thurim himne, ta lavdërojmë për gjërat e mrekullueshme që ka bërë, “ta madhështoj me lavde”. 3 Ky është një urdhër për të festuar!

Edhe Zoti feston. Kur Ai krijoi botën, thuhet: “Atëherë, Zoti shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. … Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.”4 Nëse edhe Zoti mund të marrë kohë për të parë punën e Tij dhe të pushojë, me siguri që edhe ne mund të gjejmë kohë për këtë.

Ju mund të pyesni, Po kur gjërat nuk po shkojnë mirë? Edhe nëse nuk keni asgjë monumentale për të festuar, mund të gërmoni pak më thellë për ta kërkuar atë “xhevahir festiv” të fshehur, madje diçka që ndodh në mënyrë të rregullt, të cilën nuk e keni marrë kurrë për ta festuar në mënyrë specifike.

Lexova këtë histori nga Mike Robbins disa ditë më parë, dhe më ra në sy:

Isha në një taksi në Houston disa vite më parë, duke u kthyer në aeroport pasi isha i ftuar të flisja në një event për Chevron. Unë dhe shoferi i taksisë filluam një bisedë interesante për jetën, familjen dhe gjendjen e kulturës sonë në Amerikë. Shoferi më tha se ishte nga Etiopia me origjinë, por kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara për rreth njëzet vjet.

E pyeta: “Çfarë mendimi keni për kulturën amerikane, duke qenë se nuk jeni rritur këtu?”. Ai bëri një pauzë të gjatë; pastaj më pyeti: “Mund të jem i sinqertë me ju?” Iu përgjigja: “Sigurisht.” Ai më pas tha, “Mendoj se shumica e njerëzve në këtë kulturë veprojnë si trazovaçë të llastuar.”

“Pse e thua këtë?” E pyeta, pak i befasuar nga përgjigja e tij.

“Majk,” tha ai, “Unë jam nga Etiopia! Çdo ditë këtu është një ditë e mirë! Nuk e kuptoj pse njerëzit nuk ecin këtu me duart në ajër duke thënë ‘FALEMINDERIT! FALEMINDERIT! FALEMINDERIT!'” 5

A s’është e vërtetë? Sidomos ata prej nesh që e njohin Zotin, ne duhet të ecim me duart në ajër, duke e falënderuar Atë pa pushim, sepse jemi kaq të bekuar.

  1. Filipianëve 4:8 ESV
  2. Romakëve 12:15. Shihni gjithashtu 1 e Korintasve 12:25–26
  3. Psalmi 69:30
  4. Zanafilla 1:31; 2: 3 ESV
  5. Mike Robbins është një motivues dhe trajner i jetës.