Mendoj se shumica e prindërve mbështesin idenë se pritshmëritë më të larta që kemi për fëmijët tanë lidhen me shëndetin dhe lumturinë e tyre. Kohët e fundit, kam pyetur veten nëse kishte diçka më të veçantë të cilën duhet t’ia kërkoja Zotit për vajzën time, Audrey, dhe mendova se përgjigja më e mirë ishte të lutesha për suksesin e së ardhmes së saj.

Dukej një kërkëse e vlefshme, një kërkesë për të qenë i arrirë, për të zënë vendin që na takon në botë dhe për të shkëlqyer në të. Por, kur mendoja për kuptimet e tjera, më materialiste, nuk ndihesha rehat. Nuk mendoj se suksesi matet me para, pajisje që zotërojmë apo me njerëzit që njohim. Ai lloj suksesi shpesh është afatshkurtër dhe nuk garanton lumturi.

Mendoni për shembull Nënë Terezën (1910-1997), e cila punoi për dekada me rradhë mes të varfërve në Kalkuta, Indi. Ajo jetoi në varfëri dhe u përball me vështirësi dhe kundërshtime të pafundme. Sidoqoftë në librin tim — dhe sigurisht edhe në atë të Zotit — ishte pa dyshim një sukses, një njeri që ia kushtoi gjithë jetën Jezusit dhe të tjerëve, dhe dikush  që përmbushi misionin e saj.

Kjo nuk do të thotë se suksesi dhe lumturia mund të gjenden vetëm duke u përkushtuar dhe duke u vetëmohuar ashtu siç bëri Nënë Tereza, por tregon se suksesi dhe lumturia mund të vijnë në rrugë të ndryshme.

Një ditë, lexova citatin e mëposhtëm nga evangjelisti skocez dhe autori Oswald Chambers (1874-1917): “Zoti të thërret ty që të bëhesh miku i Tij besnik, që të përmbushësh qëllimet dhe objektivat që Ai ka për jetën tënde.” Një jetë që përmbush qëllimet dhe objektivat e Zotit — cilatdo qofshin ato — është një jetë e suksesshme, dhe një njeri që jeton në kushte miqësore me Zotin me siguri që është një njeri i lumtur.

Me pak fjalë ky është suksesi që do të doja për Audrey, dhe në fakt edhe për veten time.