Në kapitullin 9 të Gjonit, Jezusi shëron një njeri që kishte lindur i verbër. Ai kishte qenë i verbër gjatë gjithë jetës së tij, dhe të gjithë e dinin këtë. Kur Jezusi e shëroi, mrekullia ishte e dukshme. Njerëzit u bënë menjëherë kureshtarë, sidomos udhëheqësit fetarë që e thirrën atë njeri për një bisedë.

Pa hyrë në të gjitha detajet e ngjarjes, mjafton të themi se farisenjtë nuk e pëlqyen popullaritetin që po fitonte Jezusi, dhe nuk u pëlqeu as dëshmia që tregonte ky “i verbri që tani shihte.”

“Për herë të dytë thirrën njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ‘Zoti duhet të marrë lavdinë për këtë, sepse ne e dimë që ky njeri, Jezusi, është mëkatar.’ ‘Nuk e di nëse është mëkatar,’ u përgjigj ai. ‘Por këtë e di: dikur isha i verbër, dhe tani shoh!’” (Gjoni 9:24–25).

Ky njeri i verbër nuk e njihte Jezusin më parë, dhe menjëherë pas takimit me Të iu kërkua të dëshmonte. Gjithçka që mund të thoshte ishte: “Nuk di shumë për Të, por e di që jeta ime ka ndryshuar. Dikur isha i verbër, tani shoh.”

Të ndaja besimin tim dikur më dukej e ndërlikuar. Më shqetësonte ideja se mos thosha diçka gabim ose se nuk do të kisha përgjigje për pyetjet e njerëzve. Por kam mësuar se të dëshmosh është po aq e thjeshtë sa të tregosh se si Jezusi është pjesë e jetës sime të përditshme.

Që herët në karrierën time profesionale, vendosa të them gjëra si “Po lutem për ty” ose të ndaj vargje nga Bibla, jo në një mënyrë predikuese, por po aq natyrshëm sa kur flasim për pjesët e tjera të zakonshme të jetës. Kjo qasje më ka hapur shumë mundësi për të biseduar për besimin dhe Jezusin, dhe vazhdoj të mësoj si ta sjell Jezusin me vete edhe në vendin tim të punës.

Para pak javësh, po bisedoja me një nga drejtuesit e departamentit tim. Pas bisedës sonë, ajo më dërgoi një mesazh duke më thënë se gjithmonë ndjehet e inkurajuar kur flasim, dhe kjo i jep shpresë dhe paqe. Folëm për disa tema, disa personale, disa për punën, por Jezusi dhe besimi ishin gjithmonë pjesë e bisedës, sepse kështu e jetoj unë.

Gjërat që do, duhet të dalin natyrshëm në bisedat e tua. Njerëzit duan të dëgjojnë për një Jezus që i ngazëllen ndjekësit e Tij aq shumë, sa ata nuk mund të mos flasin për Të.