Pyetje: Ndonjëherë më duket sikur shqetësimet po më pushtojnë. Çfarë mund të bëj që të mos shqetësohem kaq shumë?

Përgjigje: Kush nuk shqetësohet herë pas here? Shqetësohemi për atë që po ndodh në botë. Shqetësohemi se mos dështojmë në shkollë apo në punë. Shqetësohemi nëse do t’ia dalim mbanë financiarisht. Mendojmë për gabimet që kemi bërë apo për mundësitë që kemi humbur. Shqetësohemi për të ardhmen. Kemi frikë se mos humbasim njerëzit që duam. Janë kaq shumë gjëra që mund të na rëndojnë zemrën!

Shumica e shqetësimeve përqendrohen në dy drejtime: pendimi për dështimet e së kaluarës dhe frika për të ardhmen.

Si mund të mos lejojmë që këto shqetësime të na pushtojnë? Një përgjigje e bukur mund të gjendet në një vend të papritur, tek anijet e mëdha oqeanike. Këto anije ndërtohen me dyer çeliku kundër zjarrit dhe ujit, të cilat, në rast zjarri apo dëmtimi serioz, mbyllen për të izoluar pjesën e dëmtuar, në mënyrë që anija të vazhdojë të qëndrojë mbi ujë.

Kështu duhet të jetë edhe me “anijen” e jetës sonë. Që të jetojmë plotësisht sot dhe të përgatitemi sa më mirë për të nesërmen, duhet të mësojmë të mbyllim derën ndaj shqetësimeve të djeshme, me gabimet dhe dështimet e saj, si edhe ndaj frikërave të ekzagjeruara për të nesërmen. Përndryshe, shqetësimet mund të na përmbytin dhe të na tërheqin poshtë.

A e keni vënë re se shpesh janë pikërisht gjërat që nuk ndodhin kurrë ato që na shqetësojnë më shumë? Një biznesmen përgatiti atë që e quajti “grafiku i shqetësimeve”, ku mbante shënim frikërat e tij. Ai zbuloi se 40% e tyre kishin të bënin me gjëra që ndoshta nuk do të ndodhnin kurrë; 30% lidhej me vendime të së kaluarës që nuk mund t’i ndryshonte; 12% kishin të bënin me kritikat e të tjerëve ndaj tij; dhe 10% ishin shqetësime të pabazuara për shëndetin. Ai arriti në përfundimin se vetëm 8% e shqetësimeve të tij kishin arsye të vlefshme.