Çfarë do të thotë ta jetojmë besimin tonë në botën e sotme? Për mua, kjo është bërë diçka thellësisht personale. Nuk ka të bëjë më thjesht me shpjegimin e asaj që besoj, por me ndarjen e përvojës sime të jetës si dëshmi e besnikërisë së Zotit.
Me kalimin e viteve, kam zbuluar diçka shumë të çmuar. Kur i flas dikujt për Krishtin, nuk është ndonjë fjalim i përgatitur me kujdes ai që i prek zemrën. Shpesh, ajo që bën vërtet ndryshimin është një përvojë që kam kaluar vetë.
Herë pas here, kam vënë re se kur flas me dikë që po vuan, është në zi, ndihet i shkurajuar apo shqetësohet për të ardhmen, Zoti shpesh më sjell ndër mend një përvojë të ngjashme nga jeta ime. Më kujtohet kur bisedova me shoqen time, Nonën, pasi motra e saj pësoi një aksident me biçikletë dhe pak kohë më vonë ndërroi jetë nga një hemorragji cerebrale. Nona ishte e shkatërruar nga dhimbja. Edhe unë kisha kaluar diçka të ngjashme kur humba vëllanë nga një atak i papritur në zemër dhe u mbyta në pikëllim. Në atë kohë, Zoti më dha ngushëllimin dhe sigurinë më të dashur, duke më siguruar se vëllai im ishte në qiell, ku gëzonte praninë e Jezusit dhe të njerëzve tanë të dashur që ndodheshin atje.
Kur nisa t’i tregoja Nonës se çfarë kishte bërë Zoti për mua në atë kohë dhimbjeje, diçka ndryshoi. Vështrimi i saj u zbut. Shpatullat iu çtendosën dhe ajo filloi të mos rrinte më aq e mbyllur në vetvete. Nuk po dëgjonte më një ide abstrakte, por fjalë që sjellin jetë të përjetshme dhe ngushëllojnë shpirtin. Jo shumë kohë më pas, Nona ia hapi zemrën Jezusit dhe sot qëndron e patundur në besimin e saj të krishterë.
Jam shumë mirënjohëse kur shoh se si vepron Zoti në këtë mënyrë. Nuk kam pse të kërkoj me ngulm historinë “e duhur”, sepse Ai thjesht më sjell ndër mend një ngjarje nga e kaluara ime. Ai përdor edhe përvojat më të vështira për t’i dhënë ngushëllim dhe shpresë dikujt tjetër. Kështu, ajo që dikur më dukej si një dhimbje krejt personale, bëhet një urë që ndihmon një shpirt tjetër të gjejë rrugën.
Apostulli Pal shkruan se Zoti “na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë ata që janë në çfarëdo shtrëngimi, me atë ngushëllim me të cilin ngushëllohemi edhe vetë nga Perëndia” (2 Korintasve 1:4). E kam parë kaq shpesh këtë varg të bëhet realitet në jetën e njerëzve. Ngushëllimi që më dha Zoti nuk ishte menduar të ndalej tek unë. Ai duhej të rridhte prej meje e të arrinte edhe te të tjerët.
Njerëzit sot nuk mbeten të mahnitur nga fjalët fetare. Ata kanë nevojë për sinqeritet, për një besim të vërtetë që shihet në jetë. Ata pyesin: A qëndron ajo që thua edhe kur gjithçka në jetën tënde shembet? A do të më mbajë edhe mua në këmbë, kur lutjet e mia duket se mbeten pa përgjigje?
Kur tregojmë se si na ka qëndruar pranë Zoti në netët tona më të errëta, u përgjigjemi këtyre pyetjeve pa pasur nevojë të debatojmë. Përvoja jonë e jetuar bëhet vetë dëshmi.
Megjithatë, ta jetosh besimin nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndajmë me të tjerët, por edhe me mënyrën se si jetojmë. Veprat tona shpesh flasin shumë kohë përpara se të shqiptojmë qoftë edhe një fjalë. Një përgjigje e butë gjatë një bisede të tensionuar. Një kërkim i shpejtë faljeje. Të mbetesh i ndershëm edhe kur do të ishte më e lehtë të bëje kompromis. Të refuzosh thashethemet, edhe kur të tjerët merren me to. Këto janë predikime pa nevojën e një foltoreje.
Kam mësuar gjithashtu se të tregosh dobësitë dhe brishtësinë tënde kërkon guxim, por mbart edhe një fuqi të veçantë. Kur pranojmë: “Edhe unë kam kaluar vështirësi” ose “As unë nuk e kuptoja se çfarë po bënte Zoti”, krijojmë hapësirë për sinqeritet. Tregojmë se besimi nuk do të thotë të mos kesh vështirësi, por të vazhdosh të besosh edhe në mes të tyre. Kur u miqësova me Sarin, një nënë e vetme me katër fëmijë, kuptova se ndarja me të e përvojave të mia si nënë e vetme e inkurajonte të vazhdonte t’i besonte Zotit dhe të kërkonte tek Ai zgjidhje.
Shembulli ynë personal ka një peshë të jashtëzakonshme në botën e përçarë ku jetojmë sot. Mënyra si jetojmë ose e përforcon, ose e dobëson mesazhin që shpallim. Kur dashuria udhëheq reagimet tona, përulësia u jep qëndrueshmëri bindjeve tona dhe hiri i Zotit i jep formë mënyrës si flasim, njerëzit e vënë re.
Ta jetosh besimin sot nuk do të thotë medoemos të jesh një njeri mbresëlënës apo të flasësh me zë të lartë. Shpesh, do të thotë t’i lejosh Zotit të përdorë historitë e jetës sonë, si luginat e vështira, ashtu edhe çastet e fitores. Do të thotë të kujtojmë se njerëzit vëzhgojnë jo vetëm atë që themi, por edhe mënyrën si jetojmë.
Kur i ndajmë përvojat tona, duke i kthyer ato në ura për të tjerët, kur zgjedhim të veprojmë në një mënyrë që pasqyron Krishtin dhe i besojmë Frymës së Shenjtë të na japë fjalët e duhura në çastin e duhur, dëshmia jonë bëhet njëkohësisht personale dhe e fuqishme. Ngushëllimi që na jep Zoti bëhet ngushëllim që mund t’ua përcjellim të tjerëve. Jetët tona kthehen në dëshmi të gjalla.
Prandaj, zemra ime drejtohet te një lutje që mund ta bëjmë të gjithë:
I dashur Jezus, bëj që jeta ime të tregojë të njëjtën histori që shpallin fjalët e mia. Kur tundohem të jap këshilla të shpejta, më mëso të tregoj mirëkuptim. Kur takoj dikë që po vuan, më kujto se si më ke mbajtur Ti gjatë vështirësive të mia. Ruaji veprimet e mia, që të pasqyrojnë karakterin Tënd. Bëj që reagimet e mia të karakterizohen nga hiri Yt, fjalët e mia nga butësia dhe shembulli im nga ndershmëria. Dhe kur të tjerët të shohin diçka të mirë tek unë, bëj që të të shohin Ty. Në emrin e Jezusit, amen.
Nëse jeta ime mund ta afrojë qoftë edhe një person të vetëm më pranë Krishtit, kjo më mjafton.
