Teksa shumë nga miqtë e mi po plaken, gjithnjë e më shumë prej tyre po kalojnë kohë në spital. Më dhemb zemra për ta, sepse e di mirë se çfarë po kalojnë. Që kur pësova dështim të veshkave në vitin 1999, kam kaluar vetë periudha të gjata në spital.
Të jesh i sëmurë dhe i shtruar në spital nuk është aspak e lehtë. Duhet të përballosh dhimbjet dhe efektet anësore të sëmundjes e të trajtimeve mjekësore, vetminë, pasigurinë për shëndetin dhe të ardhmen tënde, stresin që kjo situatë i shkakton familjes, e shumë gjëra të tjera.
Një gjë që kam mësuar gjatë qëndrimeve të shumta në spital dhe më shumë se 1.500 vizitave për dializë e probleme të tjera shëndetësore, është se shumë nga pacientët që takoj po përballen me vështirësi të ngjashme. Besoj se një nga arsyet e rëndësishme pse Zoti lejoi që të gjendesha aty, ishte që unë të dëshmoja për Të dhe t’u flisja të tjerëve për dashurinë e Tij. Ja një shembull.
Një ditë, në sallën e ngrënies së spitalit, takova një grua japoneze. Ajo ishte rreth të tridhjetave të vona dhe kishte vuajtur gjithashtu nga dështimi i veshkave. Edhe pse kishte marrë një veshkë të transplantuar, po përjetonte ndërlikime dhe nuk dihej se si do të përfundonte gjithçka. Kishte kohë që ishte e shtruar në spital dhe ndihej shumë e vetmuar e e dëshpëruar. Ajo dhe bashkëshorti i saj jetonin në një ishull, ndaj largësia e bënte të vështirë që ai të vinte për ta vizituar.
I fola për Zotin dhe ajo e pranoi Atë me gëzim në zemrën e saj. Ndryshimi tek ajo ishte i dukshëm. Gjatë gjithë pjesës tjetër të qëndrimit tim në spital, ajo rrezatonte gëzim! Kur erdhi koha që të dilja nga spitali, i dhashë një Bibël në japonisht dhe vazhduam të mbanim lidhje. Më në fund, edhe ajo doli nga spitali dhe u kthye në shtëpi, pranë bashkëshortit të saj.
Takoheshim gjatë vizitave mujore të kontrollit te specialistët e transplantit, ku shkonim për të kontrolluar funksionimin e veshkave tona. Atëherë e kuptova se ajo ishte bërë vërtet një besimtare e përkushtuar. Më shkroi një letër shumë të bukur, ku më falënderonte që e kisha ndihmuar dhe më tregonte se sa shumë kishte ndryshuar për mirë jeta e saj që kur kishte pranuar Jezusin.
Të isha vegla që Zoti përdori për ta çuar këtë grua japoneze drejt shpëtimit dhe për t’i sjellë një ndryshim kaq të madh në jetë, ishte një përvojë e bukur dhe jashtëzakonisht shpërblyese.
Sigurisht, do të kisha parapëlqyer të mos vuaja nga një sëmundje kronike dhe të mos më duhej të shkoja aq shpesh në spital e të qëndroja aty për periudha të gjata. Ka pasur orë të panumërta kur gjithçka që mund të bëja ishte të luftoja për jetën dhe shëndetin tim, pa pasur fuqi t’u gjendesha pranë të tjerëve. Por, edhe mes vuajtjeve të mia, më janë dhënë shumë mundësi për t’u shërbyer njerëzve të tjerë që vuajnë.
“[Zoti] na ngushëllon në të gjitha vuajtjet tona, që edhe ne të mund të ngushëllojmë ata që gjenden në çfarëdo vuajtjeje, me të njëjtin ngushëllim me të cilin ngushëllohemi edhe ne nga Zoti.” — 2 Korintasve 1:4
