Në të gjithë Shkrimin e Shenjtë, vesa është një shenjë bekimi, sepse në një klimë të ashpër e të thatë, asnjë bimë nuk do të mund të mbijetonte pa të.
Për mijëra vjet, njerëzit kanë gjetur mënyra për të mbledhur vesën e mëngjesit. Në Izrael, arkeologët kanë zbuluar mure të ulëta rrethore, të ndërtuara përreth bimëve, me qëllim që të mblidhnin lagështinë e krijuar nga kondensimi. Në Egjipt dhe në shkretëtirën Atakama të Amerikës së Jugut, gurët vendoseshin në grumbuj të tillë që lagështia e kondensuar të rridhte përgjatë mureve të brendshme, ku më pas mblidhej.
Sot, organizata jofitimprurëse po zhvillojnë metoda për mbledhjen e vesës, me shpresën që të sigurojnë këtë ujë kaq të çmuar. Për shembull, në Chungungo të Kilit, ku reshjet vjetore janë më pak se gjashtë centimetra, banorët e fshatit kanë arritur të mbledhin 15.000 litra ujë në vit, duke përdorur metoda të tilla gjatë dhjetë viteve të fundit.
Një kompani britanike inxhinierike dhe organizata bamirëse WaterAid organizuan një konkurs për të gjetur teknologji të reja që do t’u ndihmonin njerëzve të siguronin ujë të pastër në zonat ku ai është i pakët. Konkursin e fituan arkitektët izraelitë Cory dhe Malka, të cilët projektuan një pajisje për mbledhjen e vesës. Frymëzimin e gjetën te pikat e ujit që vërenin në rrjetat e merimangave në shkretëtirë. Projekti i tyre përbëhet nga një strukturë në formë piramide të përmbysur, e bërë me fletë materiali, që mbledh vesën dhe e drejton atë drejt një njësie filtrimi.
Shkencëtarët kinezë po studiojnë rrjetat e merimangave për të kuptuar se përse ato janë kaq efikase në mbledhjen e ujit. Ata zbuluan se rrjetat e ndryshojnë strukturën e tyre kur bien në kontakt me ujin, gjë që u mundëson t’i drejtojnë më mirë pikat e ujit.
Ashtu si rrjeta e merimangës, edhe ne mund ta përcjellim “ujin e jetës” atje ku nevojitet më shumë. Kur gjithçka përreth nesh duket e thatë dhe shterpë, atëherë është koha që ne të rrjedhim si ujë jetëdhënës. Pikërisht në ato çaste, vesa vlerësohet më shumë. Sot, në botën tonë, shumë njerëz po ligështohen nga etja, jo për ujë, por për Fjalën dhe të vërtetën e Zotit. Ne mund të bëhemi bartësit e këtij uji, për t’ua shuar etjen të tjerëve.
Ashtu siç vesa nxjerr ujin nga ajri, edhe ne mund ta bëjmë besimin te Zoti të gjallë e të prekshëm. Dashurinë e padukshme të Zotit duhet ta bëjmë të dukshme përmes veprimeve tona. Jezusi tha: “Nga kjo do ta njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin” (Gjoni 13:35).
Le të njihemi për atë dashuri që e bën të dukshmen të padukshmen dhe e kthen atë që duket abstrakte në një realitet të prekshëm. Le të jemi uji i jetës, një ndihmë e pranishme dhe e sigurt në kohë vështirësish për ata që kanë më shumë nevojë.
