Gjatë Pashkëve të kaluara, po më dukej vetja i keq duke menduar se po dështoja në zbatimin e këshillave të Ungjillit për të dashur të tjerët dhe për të bërë një jetë joegoiste. M’u duk se po shqetësohesha më shumë se ç’duhej për gjëra materiale dhe fillova të provoja fort të përmirësohesha.

Pastaj pata një eksperiencë të çuditshme kur po kthehesha në shtëpi me autobuzin e mbushur plot. Kur unë dhe bashkëshortja ime hipëm në autobuz, dy djem të rinj na liruan vendin e tyre. Sally pranoi por unë jo. “Jo, faleminderit!”—i thashë. “Edhe ju dukeni të lodhur.”

U ndjeva shumë mirë dhe përgëzova veten që bëra diçka të mirë derisa një vajzë që ishte ulur pranë meje më preku në krah. “Zotëri,”—tha e irrituar—“A mund të kesh pak kujdes me çantën, të lutem? Më ke prekur e goditur disa herë.”

Kjo ishte e tepërt për mua! I kërkova ndjesë, por u ndjeva shumë keq, siç duhet të jetë ndjerë Pali kur tha: “Dua të bëj atë që është e mirë, por nuk e bëj. Nuk dua të bëj diçka të gabuar, por sërish e bëj.” 1

Me afrimin e Pashkëve, po përgatisja mesazhin që doja të ndaja me grupin tonë të studimit të Biblës, dhe më përshkoi një ndjenjë paradoksale; u ndjeva keq për papërsosmëritë e mia kur i gjithë qëllimi i vdekjes së Jezusit në kryq ishte të na shpëtonte nga mëkatet dhe të metat tona, dhe të na jepte forcë për të dashur Zotin dhe njëri-tjetrin.

Një ditë tjetër, duke parë pasionin e Jezusit në filmin, Biri i Zotit, 2 papritur kuptova edhe një herë një parim rreth të cilit nuk kisha menduar shumë prej vitesh: në momentin e vdekjes së Tij në kryq, Ai fshiu gjithë të kaluarën tonë. 3 Për herë të parë pas shumë vitesh, kuptova se sa të kota ishin përpjekjet e mia për të jetuar një standard të paarritshëm. Ai ishte atje, i gozhduar në kryq, duke më thënë: “E pagova unë çmimin për ty. Shko dhe jetoje ligjin tim të ri sa më mirë të mundësh. Unë do të të ndihmoj të bësh gjithçka me ndihmën Time”

Kjo pamje ishte shumë çliruese! Me kalimin e kohës e kisha humbur atë thjeshtësi dhe bindje se e gjitha vjen nga mëshira dhe jo nga puna apo përpjekjet tona për të qenë të mirë. 4 Ishte e mrekullueshme të rikujtoja dhe njëherë se vetëm Zoti është i mirë. 5 dhe ne jemi thjesht instrumentat e Tij.

  1. Romakëve 7:19
  2. Spencer. 20th Century Fox, 2014.
  3. Shih Kolosianëve 2:13-14.
  4. Shih Efesianëve 2:8-9.
  5. Shih Mateu 19:17.