Ne fëmijët kemi dashur gjithmonë një pemë të vërtetë Krishtlindjeje, të gjatë, të dekoruar bukur, siç e kishin familjet e tjera. Duhet të kishte drita “që këndonin”, xhingla argjendi dhe zbukurime xhami që mbushnin degët e mbuluara nga bora. Dhe sigurisht, hapësira poshtë saj, duhet të ishte e tejet mbushur me dhurata.

Por edhe me ardhjen e një dhjetori tjetër, dhoma jonë e ndenjjes mbeti e zbrazët. Zbukurimet e reja të Krishtlindjes ishin shumë të shtrenjta për një familje të madhe misionare si e jona, kështu që mami nxori kutitë e magazinës dhe i bëri zbukurimet e vjetra të duken si të reja fringo. Më pas, ajo përgatiti “çorape” të punuara me dorë nga letra të kuqe shkëlqyese, të zbukuruara me toptha pambuku. Motrat e mia të vogla ndihmuan për t’i prerë dhe për t’i vendosur nëpër vende. Ishin 12 çorape, një për secilin nga ne fëmijët, dhe mami i lidhi ato në parmakun e shkallës. Dy vëllezërit e mi ndezën dritat e vjetra me ngjyra dhe i lidhën ato në verandë.

Për të krijuar një skenë Krishtlindjeje, ne formuam figura të vogla balti, më pas i poqëm dhe i lyem ato. Dikush na dha një set me tre engjëj që përputheshin në mënyrë të përsosur me njëra-tjetrën dhe zbukurimet derisa ne fëmijët, i rindërtuam figurat derisa njëri prej engjëjve humbi kokën.

Më pas, një mbrëmje, babi erdhi në shtëpi dhe na tha se kishte blerë një pemë Krishtlindjeje. Kureshtarë dhe të emocionuar, u mblodhëm të gjithë në dhomën e ndenjjes për të shqyrtuar pemën. Pema jonë e Krishtlindjes!

“A nuk është e pabesueshme?” Babi ishte gjithmonë shumë entuziast.

Në fakt, ishte një bredh i gjelbër prej ngjitësi e letre, rreth tridhjetë centimetra.

“Kjo është pema jonë?!”

Një shprehje e hidhur pushtoi të dymbëdhjeta fytyrat tona.

“Është shumë e vogël!”

“Paksa e çuditshme.”

“Babi, kjo s’është një pemë e vërtetë.”

“Sigurisht që është një pemë e vërtetë, zemër. A s’është fantastike?”

Babi shpresonte se do të na transmetohej entuziazmi i tij. “Dhe shikoni, bleva një dre që shkon me të!” Me disa fanfara ai bëri drerin, gjithashtu e krijuar nga riciklimi i një gazete.

Ishte karakteristikë tipike e babait! Edhe pse ai nuk kishte shumë para për t’i shpenzuar në gjëra shtesë, ai gjithmonë përpiqej t’i ndihmonte ata që kishin akoma më pak, duke blerë disa nga mallrat e tyre. Si një kapedan në sistemin kombëtar korrigjues në Filipine, ai kishte mbledhur shumë mjete të tilla artizanati. Vitin e shkuar, pati një betejë në shtëpi mes vëllezërve të mi, për t’i marrë. Vitin paraardhës, shtëpia jonë u mbush me shishe qelqi që përmbanin skena në miniaturë, shtëpi mbi këmbalecë, njerëz të vegjël në përmasat e shkopinjve të shkrepëses, pemë palme në plazh.

Vëllezërit e mi mblidhnin gazeta dhe revista të vjetra për banorët, kurse unë dhe motrat e mia ndihmonim t’i shisnim kartolinat e tyre të Krishtlindjes, të përgatitura me dorë, nga vetë ata. Fitimet u ktheheshin familjeve të tyre.

Dhe tani, kjo është pema jonë “e vërtetë”.

“Them se mund ta rregullojmë,” sugjeroi një nga motrat e mia. E vendosëm në tryezën e telefonit, e cila thuajse dukej shumë e madhe për të. Mami preu zbukurimet nga kartoni: yjet, zilet dhe shumë kallama sheqeri. Ngjitësi me xixa i dha pemës një prekje vezulluese. Mua m’u kujtuan një palë doreza të buta plastike të mbuluara me një rrjetë të bardhë, të cilat i kisha gjetur në një dyqan shitjesh me shumicë. I përdorëm edhe ato. Lidhëm drita të shumëngjyrëshe në miniaturë, të cilat ndriçonin goxha bukur mbi Marinë, Jozefin, Foshnjën Jezus dhe dy e dy të tretat e engjëjve.

Krishtlindja erdhi menjëherë në shtëpinë tonë të vogël e të gëzueshme, të cilën s’kam për ta harruar kurrë. Ai vit, në veçanti, qe një sfidë e vështirë për familjen tonë, por gjithashtu edhe një nga kujtimet tona më të bukura.

Nuk e morëm kurrë pemën e Krishtlindjes, të blerë në dyqan. Në vend të saj, morëm një që përfaqësonte me të vërtetë dashurinë e familjes sonë. Shtëpia jonë nuk u zbukurua kurrë më dekor elegant, por u mbush me të qeshurat e fëmijëve të lumtur dhe melodive të këngëve kuptimplota të Krishtlindjes. Babagjyshi nuk e vizitoi kurrë familjen tonë, por të jeni të bindur që kemi kapur mamin dhe babin duke u puthur diku pranë asaj peme. Dhe sa për dhurata Krishtlindjeje, prindërit tanë na dhanë dhurata, që asnjë shumë parash s’mund t’i blerë.

Kaluam shumë momente të lumtura si familje. Prindërit tanë na mësuan se Krishtlindja është t’u japësh zemrën të tjerëve, dhe e njëjta dashuri aspak egoiste duhet t’i japë ngjyrë jetëve tona, jo vetëm për Krishtlindje, por gjatë gjithë vitit, si një objekt i përjetshëm.