E vetmuar?

Jam ulur në një shesh të vogël në Sarajevë. Disi kam pasur gjithmonë shtysën të kthehem këtu, në këtë vend, ku kam vuajtur shumë kohët e fundit. Kujtimet po më përmbytin mendjen. I kam sjellë dy djemtë e mi këtu kur ishin të vegjël për të vrapuar dhe luajtur me patina. Ata vraponin, luanin, garonin dhe brohorisnin plot emocione. Unë i shikoja, ndonjëherë e shqetësuar, gjithmonë lutesha për sigurinë e tyre, dhe herë pas here i ndihmoja ata me ndonjë loje, ose bëhesha arbitrja e garave të tyre.

Sa kohë ka kaluar…

Ata u rritën. Shumë shpejt…

Kalova kaq shumë kohë me ta, i ndihmoja me mësimet, i mora me vete në shumicën e udhëtimeve të mia, i përfshiva ata në punët e mia vullnetare, i mësova të pastrojnë dhe të gatuajnë, i çova nëpër ekskursione dhe shumë e shumë gjëra të tjera. Ata ishin me mua, kudo që shkoja. Si nënë beqare, unë përballesha me pjesën time të sfidave dhe probleme, por e adhuroja të isha nënë.

Dhe më pas, ata u larguan nga shtëpia dhe unë e gjeta veten, duke jetuar pa ta. Vendosa t’i kthehesha punës vullnetare dhe iu bashkova një projekti në Bohol, në Filipine.

Boholi dukej si parajsa në tokë. Oqeani kishte gjithë nuancat e imagjinueshme të blusë: blu të errët, të kaltër, të bruztë, bojëqielli, llullaq, blu e hirtë dhe të tjera; perëndimet e diellit ishin kombinimet më të mrekullueshme të ngjyrave; e verdhë e ndezur, ngjyrë ari, portokalli, mjedër dhe vjollcë e hapur. I adhuroja pemët e palmave, varkat e pabesueshme, stilin e ngadaltë të jetës.

Përkundër gjithë bukurisë që më rrethon çdo ditë, shëtitjet e mia të mbrëmjes përgjatë bregut ishin të mbushura me ndjenjat e vetmisë dhe nostalgjisë. Më mungonin fëmijët dhe miqtë e mi të ngushtë. Ndonjëherë, ishte thuajse e papërballueshme dhe unë qaja dhe lutesha të gjeja forcën për të vazhduar, që të mos ndihesha kaq e dekurajuar dhe e vetmuar.

E ulur në ujë, duke shijuar pamjen, ndjeva praninë e Jezusit. Ndonjëherë, nuk dija çfarë t’i thosha. Ndonjëherë isha aq e trishtuar, saqë nuk arrija ta dëgjoja. Por ndihesha sikur isha ulur pranë një shoku të ngushtë, kur gjithçka është thënë dhe ju thjesht rrini ulur së bashku, në heshtje, duke u ndier i rehatuar nga prania e tyre.

Mëngjeseve, para se të fillonin ecejaket, unë dëgjoja një predikim të shkurtër ose një mesazh frymëzues. Nuk e di si do të kisha mbijetuar pa lutjet e mia në mëngjes dhe “bisedat” e mia me Jezusin në mbrëmje. Ato ishin kohë shumë speciale.

Po e shkruaj këtë nga Sarajeva, ku kam ardhur për vizitë. Djali im tani është shumë më i gjatë se unë. Ai fikson kamerën e tij moderne në trekëmbësh dhe vrapon të qëndrojë pranë meje. Çak. Jam gati për kapitullin tjetër të jetës sime.