Teksa po shëtisja në mbrëmje, ndihesha paksa i shkëputur nga Zoti. Prandaj iu luta:
“Zoti im i dashur, më ndihmo të të shoh, të jem më afër Teje, të ndiej praninë Tënde.” Atëherë dëgjova Jezusin të më fliste me një ëmbëlsi të veçantë:
A e di se sa e veçantë është për mua lidhja jonë e sinqertë? Mbaj mend kur u thashë dishepujve të Mi: “Nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di ç’bën i zoti i tij; por ju kam quajtur miq, sepse gjithçka që dëgjova nga Ati Im, ua kam bërë të njohur” (Gjoni 15:15).
Unë iu përgjigja: “Por, Jezus, Ti je aq i fuqishëm dhe i madh. Pse doje të ishe miku im?”
Ashtu siç isha me dishepujt e Mi, ashtu dua të jem edhe me ty. E di që nuk e kupton plotësisht këtë, por Unë mund të të ndihmoj. Çfarë bëjnë miqtë? Ata shëtisin bashkë, ashtu si po bëjmë ne tani. U pëlqen të kalojnë kohë me njëri-tjetrin, të bëjnë gjëra bashkë. Ata ndajnë zemrën e tyre.
I thashë: “Mirë, po të tregoj çfarë kam në zemër sot. Kam hasur disa probleme…” Dhe fillova t’i flisja Jezusit për vështirësitë që po përballoja. Pastaj i thashë: “Mirë, tani, Zot, a ke diçka që Ti do të ndash me mua?”
Dhe më lejoni t’ju them, ndërsa vazhduam të ecnim, Ai nisi të më tregonte disa gjëra të bukura në krijimin e Tij përreth meje: te pemët dhe frutat e tyre, me ngjyrat e shumëllojshme dhe aromat e veçanta.
Tani, sa herë që dal për shëtitje, flasim bashkë, dhe unë e pyes: “A mund të ndash zemrën Tënde me mua, Miku im i dashur?”
Nëse ende nuk e keni pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tuaj, mund ta bëni këtë duke bërë lutjen e mëposhtme:
“I dashur Jezus, besoj se Ti je Biri i Zotit dhe se ke vdekur në kryq për mua, në mënyrë që, përmes sakrificës Tënde, të mund të jetoj përgjithmonë me Ty në qiell. Të kërkoj të më falësh mëkatet e mia. Hap derën e zemrës sime për Ty. Të lutem, mbushmë me Frymën Tënde të Shenjtë dhe më ndihmo të jetoj në një mënyrë që Të nderon. Drejto jetën time si Miku im dhe më ndihmo të të ndjek. Në emrin Tënd lutem. Amin.”
