Çfarë është paqja e brendshme? Është një mendim, një ndjenjë apo një zgjedhje që duhet ta bëjmë çdo ditë? Si mund të ruajmë qetësinë në një botë të mbushur me pasiguri të vazhdueshme, stres, konflikte dhe kriza? Këto pyetje më kanë shoqëruar prej vitesh. Megjithatë, me kalimin e dekadave, këndvështrimi im për paqen ka ndryshuar.
Në të njëzetat, jeta më dukej emocionuese dhe plot nxitje. Synimi im ishte të zbuloja botën, të njihja njerëz të rinj dhe të përjetoja gjëra të reja. Kur mbusha 30 vjeç, kisha jetuar në tri vende të Evropës: në Rumani, vendlindjen time, në Hungari dhe në Spanjë. Gjithashtu, kisha punuar në projekte në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Danimarkë. Ishte një periudhë rritjeje dhe mësimi. Por, dalëngadalë, lodhja dhe ankthi filluan të më pushtonin. Shpirti im kishte etje për pushim e qetësi, për një kuptim më të thellë të jetës sesa thjesht të endesha nga një vend në tjetrin, të kaloja nga një punë te tjetra dhe nga një rreth njerëzish te tjetri.
As që e përfytyroja se çfarë plani kishte Zoti për jetën time. Në vitin 2011, Ai më drejtoi te një grup misionarësh të krishterë, të cilët shumë shpejt u bënë miq të shtrenjtë për mua. Si vullnetare në organizatën e tyre joqeveritare, gjeta një qëllim të ri: të kontribuoja për të mirën e komunitetit. Me kalimin e kohës, mirësia e sinqertë, dashuria dhe kujdesi që miqtë e mi tregonin ndaj të tjerëve bëheshin gjithnjë e më të dukshme. Ata kanë pasur gjithmonë një prani që rrezaton paqe, gëzim të vërtetë, besim dhe urtësi. Me butësi, më morën për dore dhe më drejtuan te Jezusi. Për këtë do t’u jem mirënjohëse përgjithmonë.
Mendoja se, sapo t’ia hapja zemrën Zotit, rruga ime do të ishte e lehtë dhe pa pengesa. Por jeta ime vazhdon të ketë dhimbje zemre, dështime dhe paqëndrueshmëri. Ende bëj zgjedhje të gabuara dhe gabime. Jezusi tha se në këtë botë do të kemi vuajtje e vështirësi, por se tek Ai mund të gjejmë paqe. Prandaj, na nxiti të marrim zemër. (Shih Gjoni 16:33.) Ai tha gjithashtu: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time. Unë nuk jua jap siç e jep bota. Zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.” (Gjoni 14:27)
Në çaste kaosi dhe vështirësish, mund t’i drejtohemi gjithmonë Jezusit. Fjalët dhe premtimet e Tij na japin mbështetje dhe ngushëllim. Dhembshuria dhe urtësia e Tij kanë qenë gjithmonë pranë meje, duke më ndihmuar të gjej qetësi e forcë, besim dhe gëzim.
Ndoshta mendja ime e sheh paqen si një përjetim apo një gjendje shpirtërore. Por, në fund të fundit, paqen e vërtetë e gjejmë kur i besojmë Zotit dhe përjetojmë dashurinë e Tij të palëkundur, të pakushtëzuar dhe të përjetshme.
