Drita vlerësohet dhe çmohet sepse kemi provuar errësirën. Shpresa çmohet shumë pasi kemi provuar dëshpërimin. Të mirat na sjellin gëzim të madh, sepse e kemi jetuar jetën pa to. Ne e çmojmë shëndetin sepse kemi provuar sëmundjen dhe e kuptojmë sa e rëndësishme është të të duan, sepse e kemi parë ç’është vetmia.

Nuk besoj se ka njerëz që i gëzohen vuajtjes, vështirësive, sëmundjes apo dhimbjes së jetës; sidoqoftë Pali na tregon në Bibël se ai “me kënaqësi do mburrej me dobësitë e tij, sepse kështu fuqia e Krishtit do të jetojë tek ai.” 1 Kur i drejtohemi Zotit për çdo gjë që na sjell jeta, fuqia e Tij na jep forcë të durojmë dhe fitojmë të gjitha të mirat që Ai na ka premtuar.

Ja disa mendime nga njerëz të cilët zbuluan se kur iu drejtuan Zotit në kohë të vëshira të jetës së tyre, Ai qëndroi gjithmonë pranë tyre për t’i ndihmuar.

Mirënjohja është sekreti i gëzimit.—Autor i panjohur.

Ne, qeniet njerëzore, instiktivisht botën e dukshme e quajmë botë “reale” dhe atë të padukshme “joreale”, ndërkohë që Bibla thotë komplet të kundërtën.—Philip Yancey (lindur v. 1949)

Çdo e vërtetë rreth vuajtjes mund të përdoret si një armë pro ose kundër Zotit. Shpesh, vuajtja na shtyn më shpejt drejt rrugës ku jemi nisur—qoftë kjo rruga drejt Zotit apo larg Tij.—David McKenna

Mos e tund kokën kur sheh një nënë apo baba me një fëmijë me sindromën Down për dore dhe mos thuaj: “Unë nuk do të mund ta përballoja diçka të tillë.” Me shumë mundësi që nuk do të mundje. Prandaj Zoti nuk ta ka dhënë ty. Por, mendo sesi të mund të vazhdosh të jetosh i gëzuar pavarësisht situatës tënde personale, të veçantë dhe unike. Pranoji rrethanat si një dhuratë nga dora e Tij. Gjej guximin ta falenderosh Atë për to.—Joni Eareckson Tada (lindur v. 1949)

Mendo për momentet e tua më të këqija, për hidhërimet, humbjet, trishtimet dhe pastaj mendo se ja ku je duke i kujtuar të gjitha. Kapërceve ditët më të vështira të jetës tënde. Kalove traumën, sprovën, i bëre ballë tundimit, i mbijetove një marrëdhënieje jo të mirë, po del nga errësira. Kujto gjërat e këqija … pastaj shiko përreth e kupto se ku je. Kur kujtojmë se sa e vështirë ka qenë jeta për ne dhe se sa para kemi shkuar, ne krijojmë një kontrast të qartë në mendjen tonë. Ky kontrast është një tokë pjellore që prodhon mirënjohje.—Reverend Peter Gomes (1942–2011)

Kur të jeni në mes të vuajtjeve—lutuni që sprova t’ju rrisë besimin.—Bob O’Bannon

Mos u lut për një barrë më të lehtë, por për një kurriz më të fortë.—Autor i panjohur

Sa herë që të ndihesh i pafuqishëm, mos thuaj “jam i pafuqishëm”, por kërko kurën—që është tek Fjala e Zotit.—John Calvin (1509–1564)

Në kohë të vështira, thuaj: E para: Ai më solli këtu; dhe jam këtu sepse ky është vullneti i Tij, që unë të ndodhem në këtë situatë të vështirë dhe për këtë gjë kam paqe në shpirtin tim. Së dyti: Ai do të kujdeset për mua me dashuri dhe do të më japë forcë për të kaluar këtë sprovë. Pastaj: Ai do ta kthejë sprovën në një bekim për mua, duke më dhënë mësimin që Ai mendon se më nevojitet dhe duke më dhuruar mirësi. Dhe së fundi: Në momentin që mendon se është më mirë, Ai do të më nxjerrë nga telashet sërish. Thuaj: Jam këtu (1) sepse më solli Zoti, (2) nën kujdesin e Tij, (3) nën trajnimin e Tij, (4) në kohën e Tij.—Andrew Murray (1828–1917)

Zoti nuk është i shqetësuar për planet tona; Ai nuk na pyet: “Dëshironi të përjetoni humbjen e një njeriu të dashur, të provoni këtë sfidë apo vështirësi?” Jo, Ai i lejon të ndodhin këto gjëra sepse ka një qëllim. Gjërat që kalojmë në jetë ose na bëjnë njerëz më të dashur, më të mirë dhe më fisnikë ose na bëjnë më kritikë, më gjykues dhe më këmbëngulës në kokëfortësinë tonë. Gjërat që ndodhin na bëjnë ose djall, ose shenjtor. E gjitha varet nga marrëdhënia dhe lidhja e ngushtë që kemi me Zotin.—Oswald Chambers (1874–1917)

Asnjë test apo tundim nuk ju ka gjetur, përveçse tundimi njerëzor. Mos harroni, Zoti nuk nuk do t’ju braktisë kurrë, Ai nuk do të lejojë të tundoheni përtej fuqive tuaja. Ai do t’ju japë rrugëdalje e forcë për t’i përballuar.—1 Korintasve 10:13

  1. 2 Korintasve 12:9