Liqeni pranë shtëpisë sime është një vend i qetë për t’u soditur, i përkryer për momente medituese. Një ditë, gjatë një periudhe të vështirë që po kaloja, u ula të lexoj mbi një mol. Ndihesha shumë e vetmuar dhe kisha nevojë për përgjigje ose të paktën një shenjë për të ndjerë praninë e Zotit, një siguri të dorës së Tij në jetën time. Por asgjë nuk po ndodhte ndaj vendosa të kthehem në shtëpi, disi e zhgënjyer.

Papritur dëgjova një gagaritje pate. Një patë e vetmuar fluturoi dhe u ndal plot hijeshi në mes të liqenit.

E çuditshme që qenka vetëm, mendova. Patat zakonisht fluturojnë në tufa për të gjetur shtëpitë e tyre në veri gjatë pranverës. U ndala të shikoja vozitjen e patës së vetmuar. Ajo sa vinte dhe ndihej më e parehatshme dhe voziste më shpejt, në rrathë akoma më të vegjël. Gagaritja i bëhej më e tensionuar. E pashë për pak minuta gagaritjen e vazhdueshme dhe vozitjen nervoze, pastaj vazhdova sërish në drejtim të shtëpisë e zhytyr në mendime.

Gjatë rrugës, kalova urën mbi liqen dhe për çudi, pashë pesë pata të tjera pas disa shkurreve. Me sa dukej, pata e vetmuar në liqen ishte pjesë e kësaj tufe të vogël, por që ishte përpjekur të fluturonte vetëm. Pyeta veten se çfarë do të bënin patat e tjera.

Papritur ato u kthyen të gjitha në drejtim të shoqes së tyre dhe nisën të gagarisnin fort duke i shtrirë kokat e tyre përpara. Me atë thirrje risigurie, ato fluturuan të gjitha në ndihmë të shoqes së humbur. U ndalën në liqen dhe filluan të notojnë përbri patës që më parë ishte e vetmuar, duke gagaritur me zë më të butë.

Dhe papritur kuptova se nga kjo skenë mund të nxirrja një mësim: Nuk munda ta shoh kujdesin apo mbështetjen e Zotit atë ditë, ashtu si edhe pata e vetmuar nuk mundi të shihte patat e tjera pas shkurreve, por ato ishin atje gjithsesi, të gatshme për ta shpëtuar kur thirri për ndihmë.

Përse të çuditem kur Zoti nuk më shpëton menjëherë? Ndoshta Ai pret që unë të marr një mësim ose të kuptoj gabimet e mia. Por Ai është gjithmonë aty, gjithmonë i pranishëm, pavarësisht nëse unë e ndjej praninë e Tij ose jo. Dhe kur unë t’i thërras, Ai do të jetë gjithmonë pranë meje