“Kush do e marrë të birin?”

Kohët e fundit kam rilexuar historinë prekëse të një burri të pasur dhe të djalit të tij, të cilit i pëlqente të mblidhte vepra arti. (Historia shfaqet në disa predikime dhe libra, por autori origjinal mbetet i panjohur.) Historia rrjedh kështu:

Kur shpërtheu lufta, djali shkoi në luftë dhe vdiq duke shpëtuar një ushtar tjetër.Jo shumë kohë më pas, në derën e babait trokiti dikush. Ai e hapi dhe pa një të ri që po mbante në dorë një pako të madhe.

“Zotëri, ju nuk më njihni,” tha i riu, “por unë jam ushtari për të cilin djali juaj dha jetën e tij. Po më çonte në vend të sigurt kur e kapi një plumb dhe vdiq në vend. Ai fliste shpesh për ju dhe për dashurinë tuaj për artin.” I riu zgjati pakon e tij. “E di që nuk është shumë, por kisha dëshirë t’jua jepja këtë.”

Pakoja mbante një portret të djalit, të pikturuar nga i riu. Babai vari portretin mbi mantelin e tij, dhe pas kësaj, ai gjithmonë u tregonte vizitorëve portretin e djalit të tij para se t’u tregonte atyre cilëndo nga kryeveprat në koleksionin e tij.

Kur vdiq babai, u organizua një ankand për shitjen e koleksionit të tij të artit. Në një këmbalec tjetër pranë platformës ishte portreti i djalit. Ofertuesi i ra çekiçit të tij. “Do të fillojmë me këtë portretin e të birit. Kush do të japë ofertë për këtë pikturë?”

Ra heshtja. Pastaj, se nga erdhi një britmë. “Ne duam të shohim pikturat e famshme. Kalojeni këtë!”

Ofertuesi nuk lëvizi vendit. “Të birin. Kush do e marrë të birin?”

Më në fund, kopshtari i vjetër i familjes foli nga pjesa e prapme e dhomës. “Unë jap 10 dollarë për pikturën.” U ndie në siklet që ofroi kaq pak, por vetëm kaq mund të përballonte.

“Kemi një ofertë 10 dollarë. Ofron njeri 20 dollarë?”

“Jepjani atij për 10 dollarë, dhe le të vazhdojmë me ankandin!”

“Një, dy, u shitpër 10 dollarë!” Ofertuesi i ra çekiçit të tij. “Ankandi përfundoi,” njoftoi ai. “Kur më thirrën për ta zhvilluar këtë ankand, më thanë për një kusht të fshehtë në testamentin e të ndjerit: vetëm piktura e të birit do të nxirret në ankand, dhe kushdo që e ble atë pikturë, do të trashëgojë të gjithë pasurinë. Njeriu që merr të birin, merr gjithçka!”

Si ofertuesi, pyetja e Zotit sot është, “Kush do e marrë të birin?” Sepse, siç e shihni, kush merr Birin, merr gjithçka.

Biri i Zotit vdiq për ne rreth 2 000 vite më parë. Këtë Pashkë, le ta kujtojmë Atë së bashku.