Shpesh dëgjojmë të thuhet se duhet të “përballemi me frikërat tona”. Mendoj se hapi i parë është të dallojmë mes ndjenjave të frikës dhe ankthit dhe kërcënimeve reale. Një surfist profesionist, për shembull, duhet të pyesë veten nëse është thjesht i shqetësuar për një garë që po afrohet, apo për rrezikun e vërtetë nga peshkaqenët që janë parë në zonë.

Kur isha fëmijë, çdo verë e kaloja duke hipur mbi kuaj dhe kurrë nuk e humba respektin e shëndetshëm për ta. E dija që kuajt e ndiejnë frikën e kalorësit dhe kjo i bën të shqetësohen. Prandaj përpiqesha të kontrolloja ndjenjat e para të pasigurisë dhe pastaj hipja pa hezitim. Të njëjtën gjë mësova ta bëja edhe kur kaloja nëpër lagje të qytetit ku vjedhjet janë të shpeshta. Frika duket, dhe është më e sigurt të dish saktësisht se ku po shkon, duke ecur me forcë dhe vetëbesim.

Së fundi lexova një thënie interesante rreth frikërave dhe mendimeve tona të shqetësuara:
“Ankthi nuk është intuitë, frika nuk është urtësi, shqetësimi nuk është përgatitje. Vëri në dyshim. Shumica do të shemben nën vëzhgim.” 1

Frika na paralizon, prandaj nuk duhet të marrim vendime të bazuara mbi të. Për më tepër, shumë nga frikërat tona lidhen me situata mbi të cilat kemi pak ose aspak kontroll, si fati i botës apo mënyra se si do t’i kalojmë ditët e fundit të jetës sonë.

Atëherë, si duhet t’u përballemi frikërave tona? Me besim. Jo me një besim të verbër, por me një besim të mbështetur në faktin se Zoti na do dhe kujdeset për ne, ashtu siç është shkruar në Fjalën e Tij. Kur e vendosim besimin tonë tek Ai, Ai na ndihmon të dallojmë mes frikërave të pabaza dhe rreziqeve reale. Ai na udhëheq në çdo gjë me të cilën përballemi në jetë. Poema e mëposhtme e ilustron bukur këtë të vërtetë.

Tre burra ecnin mbi një mur: Ndjenja, Besimi dhe Fakti,

Kur Ndjenja ra keq e keq, dhe Besimi u tërhoq mbrapsht.

Besimi ishte aq pranë Ndjenjës, sa u pengua dhe ra edhe ai,

Por Fakti qëndroi, dhe e tërhoqi Besimin pas,

Dhe Besimi e solli përsëri Ndjenjën. 2

Artikujt e këtij numri trajtojnë temën e kapërcimit të frikës dhe shqetësimit. Është një thesar i vërtetë frymëzimi, këshillash praktike, shembujsh biblikë dhe dëshmish personale që jemi të sigurt se do t’ju pëlqejë.

Zoti ju bekoftë me një jetë të mbushur me besim!


  1. Scott Clary
  2. I atribuohet Anna McGhie