Sot është një ditë e re që Unë e kam krijuar—24 orë për t’u gëzuar e për t’u kënaqur (Psalmi 118:24)! Mbaji sytë hapur në çdo hap që të mos humbasësh shenjat e dashurisë Sime dhe mundësitë për t’u gëzuar. Shiko nga dritarja dhe admiro bukurinë e krijimit—kjo është dashuria Ime për ty. Mendo për familjen dhe miqtë e tu—edhe ata janë dashuria Ime për ty. Drejtoji mendimet e tua gjërave të mira, të bukura dhe të vërteta gjatë ditës dhe lejoje zemrën tënde të mbushet me gëzim për këto shfaqje të dashurisë Sime (Filipianët 4:8).
Nëse sot duket si një ditë me stuhi, kujto se gëzimi Im do të jetë me ty në çdo orë dhe do të të japë forcë e shpresë për të përballuar sfidat (Gjoni 15:11). Sado e errët dhe e mbuluar me re të duket dita, gëzimi Im është gjithmonë i pranishëm në zemrën tënde dhe nuk varet nga rrethanat që të rrethojnë.
Sa herë që më lëvdon dhe më adhuron, ti njeh praninë dhe fuqinë Time dhe shpall besimin tënd tek Unë dhe dashurinë tënde për Mua. Kur e shpreh lavdinë tënde në mes të trazirave të botës përreth, ti je një dëshmitar që ndriçon jetët e njerëzve si një rreze drite në errësirë. Ndërsa e vendos besimin tek Unë, Unë të kam premtuar se do të të mbush me gjithë gëzim e paqe që të derdhesh plot me Frymën Time (Romakët 15:13).
