Ndërsa qëndrojmë në prag të një viti të ri, nuk e dimë çfarë do të sjellë ai—dhe për këtë jam mirënjohës. Jam mirënjohës që nuk mund ta tërheqim perden e kohës për të parë atë që na pret përpara.
Por ka diçka që e dimë mirë: mund ta lëmë të kaluarën pas, me gjithë shqetësimet dhe barrët e saj, dhimbjet dhe zhgënjimet, gabimet dhe lajthitjet. A nuk është kjo diçka e mrekullueshme? E gjitha ajo tashmë i përket së kaluarës, jashtë mbërritjes sonë. Nuk mund të zhbëjmë asnjë veprim, as të tërheqim mbrapsht ndonjë fjalë të pakujdesshme, por mund të fillojmë sërish—me një faqe të pastër—këtë vit.
Nëse e ke pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tënd, nuk ke pse të mbash mbi vete barrën e fajit apo të pendimit. Të gjitha gabimet, keqardhjet dhe hidhërimet e vitit që shkoi janë në duart e Zotit, të mbuluara nga dashuria e Tij.
Zoti mund të ta japë këtë vit “kurorën e bukurisë në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë, dhe një mantel lavdërimi në vend të një shpirti të dëshpëruar” (Isaia 61,3). Ai mund të nxjerrë mjaltë nga shkëmbi dhe ujë të ëmbël nga shkretëtira e hidhur e së kaluarës, çfarëdo që të ketë qenë ajo (Ligji i Përtërirë 32,13; Isaia 41,18). Këto janë premtime të Tij për ty, nëse je fëmija i Tij.
Shumë njerëz thonë se besojnë në mëshirën dhe faljen e Zotit, por prapë shqetësohen për njollat në faqet e së kaluarës së tyre. Ata nuk gëzojnë plotësisht faktin që Zoti i ka fshirë ato (Isaia 43,25). Kush do të donte të jetonte në të kaluarën, kur e ardhmja mban kaq shumë premtime të bukura? “Duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u drejtuar nga ato që kam përpara, vazhdoj rrugën drejt cakut për të fituar çmimin e thirrjes së lartë të Zotit në Krishtin Jezus” (Filipianët 3,13–14).
Pavarësisht se çfarë ke lënë pas, Jezusi mund ta bëjë të ardhmen tënde aq të ndritshme, sa të shpresosh që të mos përfundojë kurrë—dhe nuk do të përfundojë! Jezusi ka premtuar jetë të përjetshme dhe gëzim të pashtershëm në qiell për të gjithë ata që besojnë në Të. Nëse ende nuk e ke pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tënd, mund ta bësh këtë tani, duke e thënë me sinqeritet këtë lutje:
Jezus i dashur, dua të të njoh më shumë. Faleminderit që dheve jetën për mua. Të lutem, më fal për të gjitha gabimet që kam bërë. Hap derën e zemrës sime dhe të ftoj të hysh brenda. Më jep dhuratën Tënde të jetës së përjetshme dhe më mbush me dashurinë dhe me Shpirtin Tënd të Shenjtë. Amen.
