Pyetje: Mendoja se pasi fëmijët e mi të rriteshin dhe të largoheshin nga shtëpia, më në fund do të kisha kohë të bëja disa gjëra që i kam ëndërruar gjithmonë. Por tani shoh se në fund të ditës jam i lodhur dhe edhe fundjavat më gjejnë pa energji. A do të shkojë gjithçka vetëm tatëpjetë nga këtu e tutje?
Përgjigje: Mosha e mesme kërkon disa përshtatje, por jo, nuk është gjithçka tatëpjetë.
Rënia e forcës fizike është e natyrshme. Zoti mund t’i përdorë këto dhe sfida të tjera të kësaj etape për të na ngadalësuar ritmin dhe për të na ndihmuar të reflektojmë mbi jetën dhe prioritetet tona. Në këtë proces, dëshira e Tij është që ne t’i drejtohemi Atij si ndihma gjithmonë e pranishme që Ai ka premtuar të jetë (Psalmi 46:1).
Ashtu si në çdo fazë tjetër të jetës, Zoti do t’ju ndihmojë dhe do t’ju pajisë për t’u përballur me këto sfida të reja. Ai premton: “Ai i jep forcë të lodhurit dhe atij që s’ka fuqi ia shton forcën” (Isaia 40:29). Forca që Ai jep në moshën e mesme shpesh vjen përmes pjekurisë dhe urtësisë së fituar nga përvoja. Ai dëshiron që ju të vazhdoni të zhvilloni atë forcë të brendshme dhe karakteri, dhe këtë e bëni duke e përfshirë Atë më shumë në mendimet dhe aktivitetet tuaja të përditshme. Sa për qëllimet dhe prioritetet, Ai do t’ju ndihmojë t’i qartësoni edhe ato. Nëse i drejtoheni Atij për udhëzim, Ai do t’jua japë (Fjalët e Urta 3:5–6; Jakobi 1:5). Madje, Ai mund t’ju ndihmojë të gjeni mënyra për të bërë disa nga ato gjëra që i keni dëshiruar gjithmonë dhe t’ju japë forcën e nevojshme për to.
Nëse nuk jeni mësuar t’ia sillni problemet dhe shqetësimet tuaja Atij në lutje për të marrë forcë dhe drejtim, mund t’ju duket se nuk dini nga t’ia filloni. Ja disa hapa të thjeshtë: Tregojini Zotit se po i bëni vend Atij, dhe Ai do t’ju afrohet (Jakobi 4:8). Flisni me Të ashtu siç do të flisnit me një mik. Kaloni kohë duke studiuar Biblën dhe mendoni se si t’i zbatoni parimet e Fjalës së Tij. Merrni çdo ditë kohë për lutje, bashkësi me Zotin dhe studimin e Fjalës së Tij, dhe do të shihni se marrëdhënia juaj me Të do të bëhet gjithnjë e më e fortë.
Një moshë e mesme e jetuar në këtë mënyrë mund të jetë faza më e lumtur dhe më përmbushëse që keni përjetuar deri tani!
