Disa vite më parë, më lindi ideja se kisha një marrëdhënie sipërfaqësore me Biblën. Isha pak e tërhequr, pasi e kisha kaluar tërë jetën si ndjekëse e Biblës. Unë dija shumë vargje, histori dhe interpretime si pëllëmbën e dorës sime, por kuptova se kishte shumë gjëra, për të cilat nuk kisha ide.

Kështu që, bëra diçka që nuk e kisha bërë kurrë më parë. Vendosa ta lexoj të gjithë Biblën, nga fillimi në fund. Kam përdorur një aplikacion në telefonin tim për të më udhëhequr gjatë procesit dhe për të më mbajtur brenda planit. Isha e shqetësuar se do të hiqja dorë, kur të haseesha me disa nga librat dhe pasazhet e “vështira”, kështu që ndjekja e leximit të planifikuar çdo ditë më ndihmoi të tregohem më e përgjegjshme me veten.

Më pëlqente të zbuloja simetrinë midis Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re dhe të kuptoja se e para është thelbësore për të vlerësuar me të vërtetë mesazhin e kësaj të fundit. Shumë prej predikimeve dhe pasazheve të mëdha në Dhiatën e Re u ishin dërguar njerëzve që ishin shumë të njohur me Dhiatën e Vjetër dhe thelbi ishte të vërtetohej se Jezusi ishte përmbushja e premtimeve dhe profecive që përmbante Dhiata e Vjetër.

Zoti e çon secilin prej nesh atje ku jemi në udhëtimin tonë me Të. Studimi i Fjalës së Tij është një nga mënyrat më të mira për ta njohur atë më mirë dhe për ta lejuar atë të ndriçojë një dritë në zemrat dhe jetën tonë. E di që lejova shumë zëra të tjerë të flisnin me zemrën time, shumë prej tyre ishin zëra të mirë që i bënin jehonë të vërtetës së Zotit, por nuk ishin njësoj me Fjalën e Tij aktuale.

Këtu janë disa gjëra që më kanë ndihmuar në marrëdhënien time me Biblën:

  • Kaloni kohë rreth njerëzve që janë të apasionuar pas Biblës dhe pasioni i tyre do t’ju nxisë. Disa njerëz që i njoh duan të lexojnë Biblën dhe të zbulojnë të vërteta të reja, dhe unë gjithashtu dëgjoj transmetime zanore, podcast-e të disa studentëve seriozë të Biblës, dhe kjo vazhdon të më motivojë të rritem dhe të mësoj më shumë për ato që Zoti më thotë në ato faqe.
  • Vetëm lexo. Merrni Biblën, lexoni pak çdo ditë. Mendova se studimi i Biblës duhej të ishte shumë më përfshirës. Mendova se kisha nevojë për një plan, kurrikulë, studime të hartuara, etj. Të gjitha këto janë të shkëlqyera, por nëse nuk i keni, thjesht lexoni. Disa Bibla kanë një hyrje të shkurtër në fillim të çdo libri për t’ju dhënë një kuptim më të mirë të autorit dhe audiencës origjinale.
  • Nëse arrini në një fragment që nuk e kuptoni, pyesni një mik apo mentor që është më i njohur me Shkrimet, kërkoni një shpjegim ose studioni burime në internet.
  • Kini durim. Kjo është një marrëdhënie afatgjatë. Bëjeni zakon të përditshëm hapjen e librit, leximin, meditimin për të dhe lejimin e tij të depërtojë në mendjen dhe zemrën tuaj.