Ungjijtë përshkruajnë Jezusin duke u rrahur, fshikulluar dhe pastaj gozhduar në një kryq. Ndërsa Ai ishte i varur aty, duke pritur të vdiste, disa nga fjalët e Tij të fundit ishin “O Atë, fali ata.” 1 Falja ishte përgjigjja e Tij ndaj një gjyqi të padrejtë, pasi u fshikullua nga një kamxhik me llastiqe të rënda që çirrnin lëkurën, pasi ndjeu dhimbje të paimagjinueshme, pasi iu ngulën gozhda nëpër duart dhe këmbët e Tij dhe pasi u la të vdiste në kryq në agoni. Ndërsa nga njëra anë, reagimi i Tij është shumë befasues, bën përsosmërish kuptim kur lexojmë se çfarë mësoi Jezusi për faljen gjatë gjithë shërbimit të Tij. Ai jo vetëm e mësoi atë, por e mishëroi, si në jetën e tij, ashtu edhe në vdekjen e Tij. Ai praktikoi atë që predikoi.

Falja e Zotit

Falja e Jezuit pasqyroi faljen e Atit të Tij. Në Dhiatën e Vjetër, kur Zoti ia zbuloi veten Moisiut, Ai i tha Vetes, “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin.” 2 Zoti po thoshte se falja është një nga atributet e Tij hyjnore, se është i rrënjosur në karakterin e Tij. Kjo pikë është shprehur në të gjithë Dhiatën e Vjetër, për shembull:“ Por ti je një Perëndi i gatshëm që të falë, shpirtmadh, plot mëshirë, i ngadalshëm në zemërim dhe plot mirësi.3

Kur falim të tjerët për gjërat që na kanë bërë, kjo reflekton të kuptuarit tonë për faljen hyjnore. Ne duhet të falim të tjerët sepse jemi falur. Jezusi vdiq në mënyrë që mëkatet tona të mund të falen dhe ne na bëhet thirrje të falim të tjerët kur ata mëkatojnë ose bëjnë gabime kundrejt nesh.

Çfarë është dhe nuk është falja

Disa lëndime bëhen qëllimisht. Ne sulmohemi në një farë mënyre fizikisht, gojarisht ose emocionalisht. Dikush vjedh nga ne, ndoshta duke na mashtruar me qëllim që ne të biem në kurth dhe të humbasim paratë, pronat, etj. Ne tradhtohemi nga dikush që e duam: një bashkëshort/e, një anëtar/e i/e familjes, një mik/e i/e ngushtë. Disa lëndime që ne i përjetojmë janë të vogla, por përfundimisht bëhen të mëdha, nëse ato përsëriten pa pushim.

Falja nuk e mohon dëmin ose gabimin që dikush na ka bërë. Nuk ka justifikime pse ata na lëndojnë dhe justifikimi nuk minimizon seriozitetin e veprës së kryer. Nuk do të thotë që vepra s’dhemb më apo harrohet. Falja nuk është një rikthim automatik i besimit. Ajo nuk e zëvendëson drejtësinë, pasi ndonjëherë ka pasoja që duhet të përballen edhe pas aktit të faljes. Nuk është shërim i menjëhershëm emocional.

Falja shikon gabimin e bërë ndaj nesh, pranon se na ka plagosur dhe më pas vendos të falë, që në të vërtetë është një vendim për të filluar procesin e faljes. Është të pranojmë që lëndimi që kemi përjetuar është personal, i padrejtë dhe i thellë dhe zgjedhja për të hequr dorë nga ndjenjat e brendshme negative që kemi ndaj dikujt që na ka lënduar, në mënyrë që lëndimi të mos na prekë më negativisht.

Siç e shpjegon dhe Kelly Minter në librin e saj, The Fitting Room (Dhoma e Provës):

Falje nuk është mohimi i asaj që kanë bërë armiqtë tanë; nuk e quan të plotë diçka të thyer apo diçka të pastër që shkatërruar. Falje është të përballesh me atë që kanë bërë të tjerët, të njohësh plagën e tyre dhe më pas të zgjedhësh të falësh. Nuk ka fare lidhje me mohimin e gabimit të atyre që na lëndojnë, por ka shumë lidhje me ndryshimin e zemrës sonë kundrejt tyre. 4

Ndonjëherë ne presim të falim derisa personi që na lëndon të kërkojë falje për ato që ka bërë. Ne dëshirojmë që të pranojë se ajo që bëri ishte e gabuar dhe të shprehë keqardhje. Por ka disa probleme me këtë. Ndonjëherë personi nuk e di se të lëndoi, dhe nëse është kështu, kurrë nuk do të kërkojë falje. Në disa raste, personi e di që të lëndoi, por nuk i intereson; dhe herë të tjera, individi nuk është më në jetën tuaj. Nëse pret që dikush të të kërkojë falje përpara se ta falësh, mund të përfundosh duke e mbajtur ndjenjën e lëndimit me vete për pjesën e mbetur të jetës tuaj.

Ka raste kur ne lëndohemi nga ata, që në një farë mënyre, i hedhin problemet e tyre mbi shpatullat tona. Për shembull, problemet martesore të prindërve mund të dëmtojnë fëmijët e tyre, por kjo nuk është e qëllimshme. Ndonjëherë ne lëndohemi nga ata që bëjnë gabime. Ndonjëherë dikush përpiqet të bëjë diçka për të cilën mendon se do të jetë e dobishme, por në fund të fundit, nuk funksionon ashtu siç e priste. Në situata të tilla, është e dobishme të kujtojmë veten se edhe ne bëjmë gjëra që u sjellin të tjerëve dëmtime të paqëllimshme. Kur e bëjmë, sigurisht, shpresojmë që ata që janë dëmtuar do të na falin. Dhe për këtë arsye duhet të jemi të gatshëm t’i falim ata që na kanë dëmtuar pa dashje.

Ekziston gjithashtu faktori që jo çdo lëndim që ne përjetojmë duhet të falet. Shumë nga dëmtimet që ndiejmë në jetë shkaktohen nga veprimet e të tjerëve, të cilët s’kanë për qëllim të na lëndojnë. Ne jetojmë në një botë ku bashkëveprojmë rregullisht me njerëz ashtu si ne, të cilët shpesh thonë ose bëjnë gjëra pa dashur të lëndojnë të tjerët, por ndonjëherë pa e ditur këto veprime shkaktojnë lëndime.

Autori Lewis Smedes jep një shembull interesant:

Dikur kisha një person në jetën time që më bëri gjëra mizore. Ajo më bërtiste gjatë gjithë darkës; më bënte të vihesha në shërbimin e saj, ditë e natë, pa marrë parasysh sa i zënë isha me gjëra të tjera; dhe herë pas here urinonte në pantallonat e mi të preferuara. Për t’i vënë gjërave kapakun, ajo u sëmur rëndë dhe më mërzit pa masë pasi nuk më thoshte si qëndronte puna. Kishte momente kur kisha dëshirë ta godisja. Por kurrë nuk e ndjeva impulsin për ta falur atë. … Ajo ishte vajza ime gjashtë-muajshe dhe nuk ndjeva nevojën të falja gjërat mizore që më bëri, pasi ajo nuk më lëndoi me dashje. Unë e doja dhe pranoja gjithçka që ajo bënte. 5

E lëna pas krahëve, shërimi dhe pajtimi

Të kuptuarit të Shkrimit që na thotë të falim të tjerët dhe të pranojmë se duhet ta bëjmë këtë, është një gjë. Por akti për të falur dikë që na ka plagosur thellësisht mund të jetë një detyrë e vështirë dhe pikëlluese. C. S. Lewis shkroi, “Të gjithë thonë se falja është një ide e mirë, derisa i vjen radha e tyre për të falur.”

Fjala Greke e përkthyer më shpesh si falje është aphiemi, e cila përdoret për të lënë diçka të shkojë ose anulimin e një borxhi. Kur falim dikë për ato që kanë bërë, i lirojmë nga një borxh i ligjshëm. Ne e pranojmë që jemi lënduar ose që na është bërë padrejtësi, që besimi ynë është lëkundur dhe që jeta jonë është dëmtuar nga veprimet e dëmshme të dikujt tjetër. Por ne gjithashtu e kuptojmë që edhe ne jemi mëkatarë, që ofendojmë dhe lëndojmë të tjerët dhe se jemi falur për veprat tona nga Zoti. Kur falim, marrim vendimin të heqim dorë nga dhimbja, dëshira jonë për ndëshkim, zemërimi ynë dhe ndjenjat negative ndaj personit. Ne e lëmë personin dhe veprimet e tyre në duart e Zotit.

Mund të jetë e natyrshme të ndjeni se falja e dikujt është e barabartë me justifikimin e tyre për ato që kanë bërë. S’është kështu. Përkundrazi, ju bën të lirë të lini të ikë dhimbjen e veprimit të kryer ndaj jush, të ecni përpara pa ndjenjat tuaja të negative ndaj personit që ju ka dëmtuar vazhdimisht.

Si përfundim

Falja është një temë e ndërlikuar me shumë aspekte. Sidoqoftë, është e qartë se Jezusi, me shembullin dhe mësimin e Tij, theksoi faljen. Ai na udhëzoi të falim dhe ai nuk i vuri kushte këtij urdhri. Nëse dëshirojmë të jemi më shumë si Jezusi, atëherë duhet t’i falim të tjerët për veprimet e tyre negative ndaj nesh, pavarësisht sa e vështirë mund të jetë nganjëherë, sepse Zoti i ka falur fajet tona ndaj Tij. 6

  1. Luka 23:34
  2. Eksodi 34:6–7
  3. Nehemia 9:17
  4. Kelly Minter, The Fitting Room (Colorado Springs: David C. Cook Publishing, 2011), 90
  5. Smedes, Forgive and Forget, 8
  6. Shih Efesianëve 4:32.