Bibla është plot me ngjarje befasuese dhe të papritura, dhe historia e Krishtlindjes nuk bën përjashtim.

Kapitulli i parë i Lukës vendos skenën. Zakaria po kryente detyrat e tij normale brenda tempullit sipas rendit të ditës, ndërsa kongregacioni ishte jashtë duke u lutur. Ndërsa ai qëndronte duke djegur temjan, një engjëll u shfaq papritur, duke qëndruar pranë tij.

Kur Zakaria e pa atje, u tremb dhe pati frikë, por ankthi i tij u qetësua shpejt nga fjalët ngushëlluese të engjëllit: “Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t’ia vësh emrin Gjon.” 1

Zakaria nuk ishte i vetmi, që do të tronditej nga shfaqja e papritur e një engjëlli! Gjashtë muaj më vonë, engjëlli Gabriel vizitoi edhe Marinë. “Tungjatjeta, o hirplotë” tha ai, “Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë!”2

“Maria u hutua nga fjalët e engjëllit dhe pyeste veten se çfarë donin të thoshin. Atëherë engjëlli i tha Marisë: ‘‘ Mos ki frikë! Sepse ke gjetur hir para Perëndisë dhe ti do të lindësh një djalë. Do t’ia vesh emrin Jezus.’” 3 Ky ishte një njoftim monumental, duke pasur parasysh se Maria nuk kishte qenë me asnjë burrë.

Pastaj kur i fejuari i Marisë, Jozefi, mësoi për shtatzëninë e saj, planifikoi ta largonte fshehurazi, për të mbrojtur reputacionin e saj. Por, ndërsa po mendonte për këto gjëra, një engjëll i Zotit iu shfaq atij, duke i thënë që të mos hezitonte të merrte Marinë si gruan e tij, “Sepse fëmija brenda saj u ngjiz nga Fryma e Shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.”4

Në natën që Jezusi lindi në Betlehem, kishte barinj që ruanin kopenë e tyre natën. “Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre.”5 Engjëlli u tha atyre të mos kishin frikë dhe se Shpëtimtari kishte lindur në qytetin e Davidit. Papritmas, bashkë me engjëllin u shfaq një ushtri e madhe qiellore, që lavdëronte Zotin.

Sigurisht, paraqitja surprizë më e madhe dhe më e mrekullueshme nga të gjitha ishte foshnja e vogël Jezus, e mbështjellë ngushtë dhe e shtrirë në një grazhd, i cili ndryshoi rrjedhën e historisë – Emmanuel (Zoti me ne), Mbret i mbretërve, Zot i zotërve, Shpëtimtar i botës.6

  1. Luka 1:13
  2. Luka 1:28
  3. Luka 1:29–31
  4. Mateu 1:20–21
  5. Luka 2:9 NLT
  6. Shih Luka 2:8–14.