Trupat tanë janë tempulli i Shpirtit të Shenjtë, 1 dhe Zoti na ka porositur të kujdesemi mirë dhe me besnikëri për ta. Jezusi pagoi çmimin përfundimtar për të na bërë të Tijtë, kështu që duhet ta tregojmë mirënjohjen tonë duke investuar në shëndetin tonë. Të kujdesemi mirë për trupin dhe shëndetin tonë është rezultat i natyrshëm për të dashur veten dhe për të vlerësuar dhuratën e jetës që Zoti na ka dhënë.

Ju mund të ndjeni se nuk mund t’i ndiqni këto këshilla, qoftë sepse kushtojnë shumë ose kërkojnë shumë kohë. Edhe unë ndihem ndonjëherë kështu. Por në fund të fundit, duke punuar për të pasur një shëndet të mirë mund të parandalojë një rënie të gjendjen suaj shëndetësore, e cila mund të ishte shumë më shqetësuese dhe e kushtueshme.

Le të shohim pesë pikat më të rëndësishme për një shëndet të mirë dhe të qenit në formë. Sigurisht, gjithmonë do të ketë mendime të ndryshme kur bëhet fjalë për çështje shëndetësore dhe secili prej nesh duhet të marrë vendimet bazuar në ato që funksionojnë për ne dhe trupin tonë, duke marrë parasysh rrethanat tona të veçanta dhe nevojat shëndetësore.

Numri 1. Bëni zgjedhje të shëndetshme.

Një nga faktorët kyç për ruajtjen e shëndetit dhe fitnesit është ushqimi që hani. Ka pasur shumë dieta të njohura dhe filozofi mbi të ngrënin ndër vite, por me hulumtime shtesë, disa nga rekomandimet e mëparshme për ushqimin e shëndetshëm janë rishqyrtuar. Për shembull, dikur i është kushtuar shumë vëmendje dietave me pak yndyrë, që i bënte njerëzit të hanin shumë më shumë sheqer dhe ushqime të përpunuara dhe grurë (siç janë buka, makaronat, etj.), me rezultate të përgjithshme të dobëta.

Në përgjithësi, nëse doni të bëni zgjedhje të balancuara të ushqimit, ju duhet:

  • Të hani një shumëllojshmëri të gjerë të ushqimeve që ju ose dikush tjetër ka përgatitur. Kjo do të thotë të shmangni ushqimet e përpunuara dhe ushqimet e gatshme.
  • Të shmangni sheqerin, shurupin e misrit me fruktozë të lartë dhe ëmbëlsuesit artificialë.
  • Të hani shumë fruta dhe perime të freskëta, në një larmi ngjyrash.
  • Të hani vajra të shëndetshëm me omega-3, si ato nga arrat, farat dhe avokadot, si dhe vaji i ullirit ekstra i virgjër dhe vaji i kokosit ekstra i virgjër.
  • Të mbroni florën e shëndetshme të zorrëve tuaj duke shmangur përdorimin e tepërt ose të panevojshëm të antibiotikëve dhe të hani një dietë të ekuilibruar, e cila është e ulët në sheqer dhe kokrra të rafinuara, si dhe që përfshin probiotikë natyralë (baktere të mira), siç janë kosi i pangopur dhe ushqime të tjera të fermentuara. Kjo do ta mbajë sistemin tuaj imunitar të fortë.
  • Të pini shumë ujë të pastër. Gjysma e peshës së trupit tuaj në ditë është një sasi e mirë kur jetoni në një klimë të butë.
  • Të kufizoni kafeinën dhe alkoolin.
  • Dhe natyrisht, të mos pini duhan.

Numri 2. Mbani peshën e duhur.

Nëse jeni dikush që lufton me peshë të tepërt ose mbipeshën, atëherë e dini se është një betejë e vështirë për të luftuar. Të qenit mbipeshë është një problem i përhapur gjerësisht. Sipas një raporti të BBC-së, mbipesha mbarëbotërore është katërfishuar që nga 1980-a. 2

Të qenit mbipeshë ose obeziteti është një faktor kryesor rreziku për sëmundjet kardiovaskulare (kryesisht sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru), diabetin, çrregullimet muskulo-skeletore (veçanërisht osteoartriti, një sëmundje shumë degjenerative që çon në humbjen e aftësive të nyejve), dhe disa lloje të kancerit.

Pesha e tepërt dhe obeziteti janë kryesisht të parandalueshme. Kthimi i këtyre kushteve nuk është i lehtë, por me anë të hirit të Zotit dhe me ndihmën e Tij, është e mundur. Bibla premton, “Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.”3

Numri 3. Ushtrohuni rregullisht.

Ushtrimi është thelbësor për të mbajtur peshën tuaj në një nivel të shëndetshëm, por gjithashtu e ndërton shëndetin në shumë mënyra të tjera. Rrit energjinë; përmirëson forcën e muskujve, tonin dhe qëndrueshmërinë; ju bën të ndiheni më të lumtur; zvogëlon stresin, ankthin dhe depresionin; ju ndihmon të dukeni dhe të ndiheni më të rinj; zvogëlon yndyrën e trupit dhe forcon kockat; mpreh përqendrimin, rrit produktivitetin dhe stimulon kreativitetin; promovon gjumin çlodhës; rrit intimitetin dhe marrëdhëniet; rrit funksionin imunitar; rrit lëvizjen e nyjeve; përmirëson qëndrimin; dhe kuron dhe parandalon më shumë se 40 sëmundje kronike.4

Çelësi është të jesh aktiv, të lëvizësh dhe të lëvizësh shpesh. “Sipas Klinikës Mayo, qëndrimi ulur tani është pirja e re e duhanit. Qëndrimi ulur për një kohë të gjatë, deri në tre ose katër orë njëherësh, tani është e barabartë me pirjen e gjysmë paketëje në DITË.”5

Numri 4. Minimizoni stresin.

Stresi hyn në jetën tonë si rezultat i shqetësimeve të ndryshme, të tilla si sëmundja, dhimbja kronike, problemet financiare, çështjet e punës, konfliktet e marrëdhënieve, çështjet e prindërimit dhe shumë të tjera.

Nëse nuk trajtohet, stresi i lartë i vazhdueshëm mund të kthehet në një gjendje kronike, e cila mund të rezultojë në probleme serioze shëndeti përfshirë ankthin, pagjumësinë, dhimbjen e muskujve, presionin e lartë të gjakut dhe një sistem imunitar të dobësuar. Hulumtimet tregojnë se stresi madje mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve të mëdha, të tilla si sëmundjet e zemrës, depresioni dhe mbipesha, ose të përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese.6

Ka shumë mënyra për të ulur stresin në jetën tonë dhe secili prej nesh duhet të gjejë atë që funksionon për të. Shpesh ndihem i stresuar kur jam tepër i tendosur, kur jam shumë i zënë, ose nëse kam marrë përsipër shumë punë dhe angazhime. Kur ndodh kjo, përpiqem të bëj një përpjekje të vetëdijshme për t’i marrë gjërat më ngadalë, të pushoj dhe çlodhem më shumë, të kaloj më shumë kohë me Perëndinë. “Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.” 7

Numri 5. Shijoni jetën, jini të lumtur dhe kini një pikëpamje pozitive!

Këtu është një pikëpamje interesante nga artikulli, i titulluar “Lumturia Është Çelësi për Jetë më të Gjatë”:

Ruut Veenhoven, një profesor nga Universiteti Erasmus i Roterdamit [deklaroi]: “Lumturia nuk shëron, por të mbron nga sëmundja.” …

Pas shqyrtimit të 30 studimeve të kryera në të gjithë botën për periudha nga një deri në 60 vjet, profesori holandez tha se efektet e lumturisë në jetëgjatësi krahasohen me ato të pirjes apo jo së duhanit.

Kjo mundësi speciale për t’u ndjerë mirë, tha ai, mund të të zgjasë jetën midis 7,5 dhe 10 vjet. …

Njerëzit e lumtur janë më të prirur të kujdesen për peshën e tyre, janë më perceptues ndaj simptomave të sëmundjes, priren të jenë më të moderuar me pirjen e duhanit dhe alkoolit dhe përgjithësisht jetojnë jetë më të shëndetshme.

Ata janë gjithashtu më aktivë, më të hapur për botën, më shumë vetëbesues, bëjnë zgjedhje më të mira dhe ndërtojnë më shumë rrjete sociale. 8

Do ta mbyll me disa rreshta nga pjesa e parë e librit të Rick Warren, Plani Daniel (The Daniel Plan):

Shëndeti është më shumë se një program. Shëndeti vjen nga njohja dhe përdorimi i fuqisë së Zotit në jetën tuaj dhe trajtimi i trupit dhe mendjes tuaj me kujdesin që ai synon.

Aty ku Zoti udhëzon, ai siguron. Ai ju pajis me çfarë ju duhet për të përmbushur thirrjen e tij. Ai nuk ka nevojë për forcën dhe fuqinë tuaj, por ka nevojë për angazhimin tuaj. Ai dëshiron që ju të jetoni një jetë të bollshme që përfshin një besim të gjallë, një trup të gjallë dhe një mendje të gjallë. Por ju duhet të mbështeteni tek Jezusi…

Ju duhet të besoni se mund të jeni të shëndetshëm edhe nëse nuk e shihni akoma rezultatin. Hebrenjve 11:1 thotë, “Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen.”…

Ju nuk do të arrini kurrë shëndetin tuaj optimal pa i kushtuar vëmendje dimensioneve shpirtërore të jetës tuaj. … [Çelësi] nuk është të hedhni sytë nga vetja, por të qetësoheni në hirin e Zotit, në mënyrë që të mund të bëjë me ju atë që dëshiron të bëjë. 9

  1. Shih 1 Korintasve 3:16–17.
  2. Obesity quadruples to nearly one billion in developing world,” (Obeziteti katërfishohet në gati një miliard në botën në zhvillim) BBC News, 3 janar 2014.
  3. Galatians 6:9 ESV
  4. Kjo listë bazohet në librin e Rick Warren, Plani Daniel: 40 Ditë për një Jetë më të Shëndetshme (Grand Rapids, MI: Zondervan, 2013), 41.
  5. Ibid., 163, bazuar në artikullin vijues: James Vlashos, “Is Sitting a Lethal Activity? (A është qëndrimi ulur një aktivitet vdekjeprurës)” The New York Times, 14 prill 2011.
  6. Alexandra Sifferlin, “The Most Stressed-Out Generation? Young Adults, (Brezi më i Stresuar? Të Rinjtë)” TIME, Feb. 7, 2013.
  7. Psalmet 55:22 ESV
  8. “Lumturia Është Çelësi për Jetë më të Gjatë,” AFP, gusht 14, 2008.
  9. Warren, The Daniel Plan, 33–34,52.