Sa ziliqare isha për njerëzit që mundeshin! Jo vetëm burrat dhe gratë e forta, por edhe fëmijët dhe të moshuarit dukej se e shijonin aq shumë dhe ndiheshin aq të qetë në të, ndërsa unë qëndroja në anë, e mbërthyer nga frika. Të gjithë kemi frikërat tona, disa të hapura dhe disa të një natyre më sekrete. Nuk kam frikë të flas para njerëzve apo të ngjitem në male. Por për 20 vjet, kisha jetuar në një vend të bukur dhe popullor pushimi në bregdet dhe kisha frikë nga deti! Konkretisht, kisha frikë se mos isha jashtë thellësisë sime në ujë.

Por një vit më vonë, gjërat ndryshuan.

Në pranverë, u luta që të mund të kapërceja frikën time nga deti. Kisha “predikuar” shumë për të tjerët mbi tejkalimin e frikës dhe se kurrë nuk është vonë për të mësuar diçka të re, kështu që ishte koha që unë t’i vija fjalët e mia në praktikë.

Në fillim të verës, praktikova ecjen në ujë në një pishinë. Kjo ishte një fitore dhe mendova se isha gati të përballesha me detin, por nuk ishte aq e thjeshtë. Qëndrova në plazh për një kohë të gjatë, duke parë atë tërësi të bukur blu të ujit dhe përsëri ndieva atë frikë që më paralizonte këmbët.

U ktheva disa ditë më vonë dhe ndodhi e njëjta gjë. Deti nuk është si pishina! Por përfundimisht, pranova ftesën e burrit tim për ta ndjekur atë pak e nga pak.

Më në fund, këmbët e mia nuk e prekin tokën dhe kjo ishte një ndjenjë ngazëllyese, duke u shkëputur më në fund nga bregu! Lotët po më rridhnin nga fytyra dhe më përshkoi i njëjti emocion si kur fitova një çmim të madh si fëmijë.

Është e panevojshme të thuhet, kjo përvojë më mësoi disa mësime të paçmueshme:

  1. “Nuk ka frikë në dashuri.” M’u desh të gërmoja thellë për të gjetur dashurinë për detin. Mendova se më pëlqeu mjaftueshëm si për fillim, por duhej të kishte më shumë se kaq, duhej ta shijoja dhe të kënaqesha me të.
  2. “Liroje veten dhe lejo Zotin.” E kisha dëgjuar atë citat shumë herë, por të mësoja qëndrimin në ujë me të vërtetë mori kuptim. Sa më shumë që e lëshoja veten dhe relaksohesha, aq më e lehtë bëhej.
  3. “Nuk është kurrë vonë të mësosh diçka të re.” Ju duhet të gjeni dhe pranoni kufijtë tuaj, por gjithashtu duhet të vazhdoni të lëvizni dhe të përparoni.