Gjatë gjithë jetës sime, kam marrë pjesën time (të merituar) të pasojave për gabimet e mia. Por më shumë se një herë, nuk kam marrë ç’kam merituar. Përkundrazi, kam marrë mëshirë.

Një ditë kur isha rreth 12 vjeç, familja ime shkoi në një qendër tregtare. Unë duhej të ruaja vëllanë tim të vogël, ndërsa prindërit qëndronin në radhë, por unë u shpërqendrova, dhe ai u largua dhe arritëm ta gjenim kur gati kishte arritur në parking. A më dhanë prindërit një leksion të ashpër? Sigurisht që po, por ajo ishte e mbushur me aq shumë dashuri dhe mëshirë. U mëshirova atë ditë, s’e meritoja, por s’e harrova kurrë. Kur isha pak më i madh, mora diçka që nuk ishte e imja. Kur nëna ime u përball me mua, ndjeva veshët teksa buçisnin, ndërkohë që mendoja Pse e bëra këtë? Jeta nuk do të jetë kurrë më e njëjtë! Por mami më mori në krah dhe tha që ajo e dinte që mund të isha një njeri më i mirë dhe si fillim, duhet ta ktheja menjëherë artikullin. Dhe doli se kisha të drejtë (megjithatë, jo në mënyrën si e prisja), jeta ime nuk ka qenë asnjëherë e njëjtë që nga ky mësim i bezdisshëm.

Pastaj erdhën zënkat negative, argumentet e pakuptimta dhe kthimet mbrapa të viteve të adoleshencës dhe viteve të para të moshës sime madhore. Sillesha keq me miqtë, motrën, vëllanë apo prindërit, dhe më pas do të ndjeja turp, duke e ditur se meritoja të merrja në këmbim përjashtim, refuzim ose ndonjë pasojë tjetër. Ndonjëherë, e merrja ç’meritoja. Por shpesh, konstatoja që të tjerët kishin shpirt dhe zemër më të madhe se sa imagjinoja, dhe herë pas here, më falnin.

Tani përpiqem të jem burrë i dashur për gruan time të mahnitshme dhe një baba i mirë me dy vajzat e mia të vogla. Shumica e ditëve, ia dal mbanë. Ditë të tjera, jo edhe aq. Ka pasur raste kur unë jam sjellë keq dhe ka qenë e vështirë të përballesha jo vetëm me ato, por edhe me veten. Por çuditërisht, kur më është dashur ta përul kokën nga turpi, dashuria e tyre ma ka ngritur moralin dhe më ka bekuar me mirësinë dhe mbështetjen e tyre. E gjithë kjo më ka treguar që jeta është një proces i gjatë mësimi.

Jezusi i fali ata që e urrenin, e rrahën dhe e vranë. Ai pati durim me dishepujt e Tij kur ata u përpoqën të kuptojnë mësimet e Tij. Ai i mirëpriti ata që e kishin mohuar Atë dhe miqtë që e kishin lënduar shumë. Ai preku mosbesuesit dhe personat e përjashtuar nga shoqëria dhe i ngriti butësisht kokën, duke i bekuar ata me dashuri të pakufizuar. Ai na pohon çdo ditë se ka vend në mbretërinë e Tij për të gjithë ne mëkatarët e humbur dhe të vetmuar, kur të vijmë tek Ai.