Duke u kthyer nga vizita tek disa nga fëmijët dhe nipërit e mi, po prisja të hipja në aeroplanin tim te Porta 56. Heshtja u thye në mënyrë të vrazhdë nga një zë që dilte nga altoparlanti, “Njoftim para hipjes: Të gjithë me fëmijë të vegjël, të gjithë ushtarakë me uniformë, ata me aftësi të kufizuara ose me karrige me rrota, ju lutemi hipni”.

Kisha fluturuar shumë herë më parë, por këtë herë të veçantë, diçka më goditi si kurrë më parë. Njëri nga ushtarakët me allçi në këmbë ishte me paterica, një tjetër po shtyhej në një karrige me rrota, ndërsa një tjetër nuk kishte aftësi të kufizuara të dukshme. Ata padyshim që po ktheheshin për në shtëpi për të shijuar pushimet me njerëzit e dashur. Pastaj mendimet e mia filluan të enden te ushtarët që vuanin nga PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik). Zemra ime prej nëne i pa me dhembshuri.

Pak para Krishtlindjes m’u kujtuan disa rreshta nga kënga e John Lennon-it e shkruar vite më parë. Fillon me, “Dhe ja pra, erdhi Krishtlindja dhe çfarë ke bërë? Një vit tjetër kaloi dhe një i ri sapo filloi.” Thelbi i udhëtimit për në shtëpi ishte të gjente paqe dhe të ndalonte të gjitha zënkat. Pastaj për Vitin e Ri: “Le të shpresojmë që të jetë një vit i mirë, pa asnjë frikë.”1

Fjala “luftë” vjen nga fjala e vjetër gjermane “werra”, që do të thotë të ngatërrosh ose të shkaktosh konfuzion. Letra e parë e Palit drejtuar Korintasve na e thotë këtë “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi si në të gjitha kishat e shenjtorëve.”2 Dhe Gjoni shkruan këtë “Po të thotë dikush: ”Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?”3

Përafërsisht në vitin 760 pes, Isaia profetizoi se në mbretërimin e ardhshëm të Krishtit në tokë, nuk do të ketë më luftë. Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do t’i tërheqë vërejtje shumë njerëzve. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe as nuk do të mësojnë më luftën.4

Mezi presim në të ardhmen një ditë më të mirë ku do të ketë dashuri, të qeshura dhe paqe përgjithmonë. Atë ditë, do të jemi të lirë nga lufta me paqen e vërtetë të sjellë nga Zoti dhe mbretëria e Tij përgjithmonë.

  1. “Gëzuar Krishtlindjen” (Lufta mbaroi), John Lennon, 1971
  2. 1 e Korintasve 14:33
  3. 1 Gjonit 4:20
  4. Isaia 2:4