Shumica prej nesh kanë një numër rolesh ose titujsh të ndryshëm, me të cilët njihemi si prindër, fëmijë, student, koleg, shok skuadre, bashkëshort, mik, për shembull. Secili prej tyre hedh dritë mbi një pjesë të jetës sonë.

Përgjatë Shkrimit të Shenjtë, Zoti përshkruhet duke përdorur shumë emra dhe tituj të ndryshëm, më saktë, me qindra. Disa nga më të njohurat përfshijnë Mbretin (Psalmi 95), Bariun (Psalmi 23) , Shëruesin (Eksodi 15), Ofruesin (Zanafilla 22) dhe Atin (Romakët 8).

Ky bollëk emrash dhe titujsh na jep të dhëna rreth karakterit të Tij. Në kulturën e kohës biblike, një emër nuk ishte aq identifikues sa diçka që vinte në dukje identitetin e një personi. Emrat e ndryshëm të Zotit tregojnë histori të ndryshme dhe ofrojnë njohuri në aspekte të ndryshme të asaj që Ai është.

Si të krishterë, përpiqemi të bëhemi më shumë si Zoti. Emrat që i japim Atij na ndihmojnë të lidhemi me Të dhe ta kuptojmë Atë. Të kuptosh dikë shpesh është çelësi për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë me të. Dhe një marrëdhënie e fortë, intime është pikërisht ajo që Zoti kërkon të ketë me secilin prej nesh.

“Ejani tek unë”, thotë Jezusi, “o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.” 1

Ftesa e Jezusit është për të gjithë. Nuk ka rëndësi se ku kemi qenë apo çfarë kemi bërë, ne mund t’ia japim Atij barrën tonë dhe “të gjejmë çlodhje”. Ne mund të thërrasim emrin e Tij dhe të marrim përgjigje.2 Kjo çështje na fton t’i afrohemi Atij duke e njohur Atë më mirë.

  1. Mateu 11:28–29 NIV
  2. Shih Psalmin 99:6.