Gjatë pranverës së vitit të tretë të shkollës së mesme, disa vajza propozuan të bënim stërvitje për ndeshjen e basketbollit mes viteve të treta dhe të katërta, dhe mendova se mund të argëtoheshim, kështu që u bashkova me ta. Nuk dola mirë me stërvitjen, isha më e përqëndruar tek miqtë e mi sesa tek loja; por pavarësisht se u ngrija nervat disa lojtareve që luanin me shpirt, vendosa t’i shkoja deri në fund asaj që do të ishte e para dhe e vetmja ndeshje e imja e basketbollit.

Gjatë gjithë ndeshjes, maturantet kryesonin vazhdimisht, ndërkohë që shoqet e skuadrës sime luftonin. E kisha kaluar topin dy herë si të ishte patate e nxehtë, e gëzuar që e hiqja nga duart sa më shpejt të mundesha. Derisa…

Ishim dy pikë mbrapa në sekondat e fundit të ndeshjes kur njëra nga shoqet e mia arriti të kapte topin. E hodhi sa larg që mundej, dhe kuptova e llahtarisur se topi po vinte drejt meje. E kapa me lehtësi, por tani çfarë të bëja? Askush prej shoqeve të mia nuk ndodhej pranë koshit.

Mund të jem dukur sikur ngeca në kohë, e pasigurt për atë që duhet të bëja, kur pashë fytyrën e Stanit, një prej djemve atletë të klasës, i ulur në rreshtin e parë të turmës. Ai bërtiti: “Thjesht gjuaj topin! Mund t’ia dalësh!”

Më kujtohet vetja duke vështruar koshin nga gjysma e fushës, duke u matur dhe duke gjuajtur me gjithë forcën që kisha. Ajo që ndodhi më pas është paksa e turbullt në memorien time. Topi në një farë mënyre goditi pak hekurin dhe hyri në kosh në sekondën e fundit, dhe ne fituam lojën!

Ndërsa të gjithë u mblodhën rreth meje gjatë momentit tim të lavdisë, sytë e mi kërkonin Stanin nëpër turmë. Më në fund ai erdhi të më përgëzonte dhe i thashë: “Faleminderit Stan, që tregove besim tek unë atëherë kur kisha nevojë. Ti ishe ai që mendove se mund t’ia dilja dhe ia dola.”

Të gjithë kemi nevojë për dikë që të na nxisë kur fytyrat në turmë duken si në mjegull, kur zërat janë të pakuptueshëm, dhe hapat na lëkunden—dikë si Stani që të na thotë ta hedhim hapin, kur hezitojmë dhe jemi të pasigurt. Dikë që të na rrisë besimin në vetvete dhe të thotë: “E di që mund t’ia dalësh!” Edhe nëse na rrahin shpatullat në momentin e lavdisë tonë, ne thellë brenda vetes e dimë se janë ata që meritojnë të nderohen.